“Urdhërat e mbrojtjes janë t’i pish me çaj”

Një nënë e tre fëmijëve, e cila nuk pranoi të tregonte identitetin e saj tregoi ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan martesën e saj tepër të vështirë.

Për 33 vite, ajo ka qenë e martuar me një person që e dhunonte vazhdimisht atë, por edhe 3 fëmijët e tyre.

Shkak ishte konsumimi i tepërt i alkoolit, si pasojë e të cilit, ai humbte kontrollin mbi veten.

Gruaja rrëfeu se gjatë asaj periudhë ka marrë 9 urdhra mbrojtje, por që për të nuk funksionuar sepse bashkëshorti vazhdonte t’i dhunonte dhe të sillej keq me ta. Frika ishte e madhe dhe gjithmonë drejtoheshin tek rajoni i policisë, kur situata në familje agravohej.

Gruaja: Ai nëse ishte i pirë nuk i afroheshe dot, do të këpuste me lopatë, me dru, çfarë të kishte në dorë.

Mirela Milori: Ndaj teje apo edhe ndaj fëmijëve, ndaj djalit?

Gruaja: Ndaj meje më shumë, por kur djali mua më mbronte e zinte dhe djalin në grykë. Edhe djalin e dhunonte, edhe fëmijët i dhunonte që të tre. Dilnim flinin përjashta. Gjithë ato herë flija përjashta.

Mirela Milori: Po mirë gjatë gjithë kësaj kohe e ke çuar ndonjëherë në polici, ke shkuar të ankohesh diku?

Gruaja: Pastaj e tejkaloi shumë, nuk mund të rrinim dot, nuk mund të hanim dot, nuk flinim dot. U detyruam pastaj për hir të fëmijëve, se djalin e kisha në shkollë të lartë.

Mirela Milori: Kaq i dhunshëm ishte? Deri në këto nivele dhune?

Gruaja: Shumë! Dyert i kishim pa kyçe, i vija krevatin derës, por kur e shikoja keq lajmëroja policinë. Vinte policia e gatshme, vinim në polici, bënim ato që duheshin dhe ai prapë të njëjtin.

Mirela Milori: Urdhër mbrojtje ke marrë ndonjëherë?

Gruaja: 9 a 10 urdhëra mbrojtje janë bërë!

Mirela Milori: Dhe çfarë ndodhte merrte urdhër mbrojtje, po pastaj?

Mirela Milori: Hiç asgjë! Ato janë thjesht t’i pish me çaj, absolutisht asnjë gjë. Ai i thyente urdhrat e mbrojtjes. Ka qenë 200 metra larg, është larguar nga shtëpia, ai prapë vinte, prapë dhunonte. Unë zgjidhja e gjeja tek policia, policia na u bë si buka e përditshme. Më vinte turp se kemi qenë një familje e shkëlqyer me 3 fëmijë të mrekullueshëm.

Mirela Milori: Dhunonte vetëm kur pinte?

Gruaja: Po vetëm kur pinte!

Mirela Milori: Po kur vinte në gjendje normale?

Gruaja: Nuk vinte normal ai, po të ikte prej shtëpisë në 6 të mëngjesit. I thoja çfarë bën, pse e bëre? Nuk bënte shamatë ikte. Kur vinte në drekë fillonte që përjashta, çfarë më the ti? Nga fjalët më të pista, që ka qenë një burrë që nuk e përdorte fjalorin e lig. Ai thoshte për të tjerët kur i dëgjonte. Po këta si shajnë? Pastaj arriti dhe nuk e komandonte dot veten./tvklan.al