Lëvizje e lirë në gjithë pjesën tjetër deri në 21:00

Nga e hëna e 11 Majit, vetëm 6 bashki do të jenë në hartën e zonave të kuqe, ku për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve do të duhet autorizim. E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e hapur pa asnjë kufizimi me një regjim qarkullimi deri në orën 21:00.

Lajmin e dha Kryeministri Rama, i cili njofton se në zonën e kuqe do të mbeten bashkitë e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Krujës e Kurbinit, në të cilat ka ende vatra të reja të Covid-19 do të vazhdojnë me të njëjtat masa.

Në pjesën tjetër të vendit do të lejohet edhe lëvizja nga njëri qytet në tjetrin. Por kufijtë e këtyre qyteteve me zonat e kuqe, do të jenë të blinduara me postblloqe, që do të pengojnë hyrje-daljet e personave dhe mjeteve të paautorizuara.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpjeguar me detaje bizneset e tjera për të cilat do të hiqen kufizimet.

Sa i takon fundjavës, lëvizja do të jetë si javën e shkuar.

Me shumë gjasë kjo do të jetë fundjava e fundit që do të ketë kufizime për kategori të ndryshme. Në 18 Maj do të lejohet hapja e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare.

Tv Klan