Duke filluar nga dita e nesërme, e hënë 18 Maj, Fieri do t’i bashkohet hartës së zonave të gjelbërta, duke u lehtësuar plotësisht nga masat kufizuese në kuadër të Covid-19.

Në një njoftim në Facebook, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se zonat e kuqe, ku hyrje-daljet nga qytetet do të jenë të ndaluara, do të kenë një fashë orare më të zgjeruara, ku orari 17:30 zëvendësohet me orën 21:00.

Gjatë kësaj fashe orari, as këmbësorët dhe as automjetet nuk do të kenë nevojë për autorizim për të lëvizur.

“Nga nesër për javën në vazhdim, në bazë të vendimit të ministrisë së shëndetësisë: Fieri kthehet në zonë e gjelbër. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në zonat e gjelbërta. Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21.00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve gjatë javës – fundjava do të jetë përsëri pa makin. Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje – dalja e automjeteve në zonat e kuqe”.

Rama shkruan se qeveria do të ndryshojë nesër aktin normativ për heqjen e ndalesës së studiove tv për të ftuar jo më shumë se një person dhe se do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njëri – tjetri.

“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj si deri tani dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht”.

Ndërkaq, masa 14 ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe kodi penal, thekson Rama. /tvklan.al