Çdo biznesi do t’i dërgohet urdhri nga Bashkitë përkatëse për të reduktuar punimet dhe për t’i ndërprerë ato totalisht në fundjavë gjatë sezonit turistik. Ky urdhër ishte në fokus të takimit të Ministres, Mirela Kumbaro me përfaqësues të bashkive Sarandë e Himarë, si dhe të ndërtuesve në fushën e hoteleri-turizmit.

Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Nuk mundet që ndërsa një hotel është i tëri i rezervuar me pushues, në kantierin ngjitur të dëgjohet zhurma e betoniereve, vinçave, kamionëve e matrapikëve. Prioritet do të jenë pushuesit. Gjatë fundjavave, punimet nuk do të lejohen as jashtë e as brenda ndërtesave dhe kjo do të jetë e panegociueshme. Është e domosdoshme të bashkëjetojmë me rregulla. Bashkitë do të ngarkohen me përgatitjen e urdhrave të cilat do t’i shkojnë çdo biznesi, por sidomos me zbatimin e tyre. Pezullimi i punimeve në fundjava duhet të nisë që tani, ndërsa nga muaji Qershor punimet duhet të ndalen deri në fund të sezonit veror.

Më tej Kumbaro nënvizon se vendi ynë duhet të synojë turizmin elitar, ku shërbimi mbetet thelbësor.

Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Patjetër që ecim drejt vizionit të Shqipërisë 2030 me standarde dhe struktura ekselente shërbimi, por na duhet koordinimi në mbarëvajtjen e këtij sezoni veror derisa të përfundojnë punimet e kantiereve.

Ky vit pritet të shënojë shifra rekord të flukseve turistike, ndërsa gjatë 4 muajve të parë të vitit 2024 kanë sjellë 2,3 milionë vizitorë të huaj ose 38% më shumë se në vitin 2023.

Klan News