Blerina Kllokoqi Rugova është një stiliste e njohur jo vetëm në Kosovë dhe trevat shqiptare, por stili dhe produktet e saj kanë kapërcyer kufijtë. Ajo numëron një sërë bashkëpunimesh me shtete të tjera duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm në industrinë e modës.

E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, ajo tregon ëndrrën e saj që në fëmijëri për të stiluar veshjet e vjetruara në shtëpi, duke vazhduar më pas me studimet për Juridik në Vjenë, e deri tek rikthimi në Kosovë për të ushtruar pasionin e saj për modën. Sot ajo në studio vjen me një rrëfim ndryshe duke treguar gjithë rrugëtimin e saj përgjatë viteve dhe kufijve.

Rudina Magjistari: Ti ke qenë e fokusuar që në fillimet e para edhe pse me sfida pa dyshim, kështu që ia ke dalë mbanë që të krijosh stilin dhe identitetin tënd në fushën e modës. Por, fillimet e tua kanë qenë ndryshe, ti ke studiuar për juridik mesa di.

Blerina Kllokoqi Rugova: Me thënë të drejtën ajo ka qenë thjesht një prej arsyeve që më ka ndihmuar më shumë për të shkruar drejt dizajnit të modës. Në Kosovë nuk kemi pasur fakultet për dizajn të modës, kemi pasur vetëm kostumografinë. Pas luftës kemi pasur mundësi që të zgjidhnim vetëm Juridikun, Ekonomikun dhe Teknikun, kështu që unë zgjodha Juridikun. Më ka ndihmuar shumë sepse jam munduar që në mënyrën më të mirë të mbroja produktin tim, domethënë kam bërë atë lojën e avokatit dhe e bëj akoma për produktet e mia. E vetmja mënyrë për t’u transferuar nga Prishtina në Vjenë ka qenë vetëm nëpërmjet fakultetit.

Rudina Magjistari: Pra ti doje që të shkoje në Vjenë…

Blerina Kllokoqi Rugova: Po për të studiuar për dizajnin e modës sepse në Kosovë nuk ka pasur. Por, për fat të keq në atë kohë dizajni i modës në Vjenë u mbyll dhe studiova e punova për dy vite, më pas u ktheva në Kosovë për të studiuar dizajnin e modës.

Rudina Magjistari: Si ka lindur pasioni për modën, si e ke kuptuar ti që është kjo ajo që do të bësh në jetë?

Blerina Kllokoqi Rugova: Unë mendoj se kreativiteti është me të lindur, nuk mundesh ta fitosh me kalimin e kohës, është një dhunti që Zoti ta fal, me kalimin e kohës vetëm mund ta përforcosh, por jo ta fitosh plotësisht. Që e vogël kam qenë shumë ndryshe, kam krijuar prej kurrëgjëje veshje. Ne kemi qenë fëmijë të luftës dhe domosdo, aq sa ka qenë luftë katër muaj në Kosovë, jemi munduar që prej kurrëgjëje të kumbisnim kohën, dhe në fillim kam nisur me rrobat e babit që ia prishja, si edhe të gjyshes. Kam qenë e para në familje që kam mundur të eksperimentoja dhe kam mundur të prish sa kam dashur. Por, fatmirësisht u shpërblye të gjitha ato dëmet e mia me krijimin e linjës së veshjeve të “BKR-së” e quajtur më pas “Bukur”.

Rudina Magjistari:BKR” e quan?

Blerina Kllokoqi Rugova: Jo e para ka qenë “BKR” me fustane solemne, tani është “Bukur”./tvklan.al