Emocione e ceremonisë hapëse në Euro 2020 ishin mjaft të fuqishme për shkak të kthimit të tifozëve në stadium për të mbështetur dhe shijuar nga afër lojën e servirur nga lojtarët e Kombëtareve të tyre.

Po ashtu, UEFA u kujdes që të kishte vëmendje edhe ndaj detajeve të vogla që e dallojnë secilin kampionat nga tjetri, pasi në ngjarje të tilla i jepet një rëndësi shumë e madhe spektaklit për të ofruar një shfaqje të vërtetë që shoqëron emocionet e sportit. Këtë herë, u përdor një makinë e vogël për të sjellë topin në fushë, e cila ishte një gjetje në këtë kampionat.

Bledar Kuka: Një kampionat i tillë, një ceremoni hapjeje në një stadium kaq tradicional sa ç’është “Olimpico” i Romës dhe me publik brenda, me një yll të madh të muzikës italiane dhe botërore, kuptohet, nuk mund të mos ketë emocione edhe për faktin se duket se njerëzit po jetojnë si më parë. Madje në Budapest ishin të gjithë si më parë, ishin 61.000 tifozë, ishte e lejuar plotësisht nga qeveria hungareze, ndërkohë që në vendet e tjera ishte rreth 25%, në Wembley mund të jetë gati 50%, kështu është llogaritur. Është niveli më i lartë i mundshëm i ceremonive, por ra shumë në sy pjesa e asaj makinës së vogël që çoi topin në mesin e fushës, u quajt një gjetje sepse s’kishte ndodhur kurrë më parë. Zakonisht, kur ka ngjarje të tilla, çdo vend, çdo organizatë kërkon të bëjë diçka që të mbetet dhe gjithmonë ka patur të tilla. Dikur ka qenë një astronaut që ka ndezur flakën olimpike, një me shigjetë, gjëra të tilla, kurse kjo nuk ishte menduar ndonjëherë dhe u quajt si një gjë e veçantë. Në rrjetet sociale mund të ketë pasur po aq shumë reagime sa edhe ndeshja.

Eva Murati: Spektakli është gjithmonë i mrekullueshëm, sidomos në ngjarje të tilla që janë njëherë në ca kohë. Sigurisht, Europiani, gjithashtu edhe Botërori, janë njëherë në 4 vjet dhe sa herë që vijnë, vijnë si një festë e madhe plot me ngjyra e drita, jo vetëm për dashamirësit e futbollit që padyshim do t’i kenë sytë tërësisht te ndeshja, por edhe për pjesën tjetër që duan të festojnë e gëzojnë. Aq më tepër, pas këtij viti kaq të vështirë që lamë pas, vitin e pandemisë, një simbolikë shumë e bukur që ishte hapja pikërisht në stadiumin “Olimpico” të Romës i cili është ndoshta një ndër stadiumet më legjendare të futbollit ku u bë kjo hapje që ishte kaq e bukur, një rikthim në jetën e zakonshme. Ne ndoshta këtu në Shqipëri e kemi përjetuar deri diku pandeminë, por Italia me të vërtetë u gjunjëzua para saj, kështu që ky kthim në realitet me kaq shumë ngjyra, me sport, me hare, me alegri të madhe ishte me të vërtetë ajo hapja e duhur që i duhej këtij kampionati. /tvklan.al