Kontrata e 344 hidrocentraleve që sot nuk kanë nisur ende punën për prodhimin e energjisë elektrike do të ngrijnë.

 “Kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nisë skanimin e mënyrës se si zhvilluesit dhe ndërtuesit e këtyre veprave energjitike kanë zbatuar kontratat si në anën e afateve, ashtu edhe nga ana teknike e ndërtimit dhe respektimit të mjedisit. Në fund të procesit do të gjykohet vazhdimësia e këtyre projekteve.

“Procesi në fjalë do të bazohet në dy kritere, kriteri i përputhshmërisë ligjore dhe përmbushja e kushteve kontraktuale nga subjektet e licensuara, duke përfshirë këtu kushtet teknike dhe afatet kohore, si dhe kriteri i përputhshmërisë me kërkesat mjedisore”.

Në fund të konferencës ministrja Balluku, tha se sëbashku me ministrin Blendi Klosi do të nisë diskutimet me publikun për përmirësimin e procedurave të miratimit të lejeve mjedisore të hidrocentraleve. Nisur nga rasti i hecit “Strori” pranë përroit të Holtës mbi lumin Devoll, ajo tha se HEC-et nuk sjellin vlera ekonomike nëse shkatërrojnë pasuritë natyrore.

 “Vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore”.

Balluku vlerësoi punën e bërë deri tani nga parardhësi i saj, por duke lënë të kuptohet se do të bëjë vetëm akoma më mirë, pasi u shpreh se “e mira s’ka fund”.

 “Ky institucion në pesë vitet e fundit ka bërë një disiplinim të madh të situatës së trashëguar, e cila ishte skandaloze, në kufijtë e kriminales, por jo vetëm e mira s’ka fund, edhe problemet e sektorit në këtë drejtim nuk janë sosur, por janë reale e shqetësuese.”

Tv Klan