Gjykata e posaçme vendosi të nisë procesin pa avokat për dy të pandehur

Pas 3 vitesh që nga dhënia e vendimit në shkallë të parë për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë, ka nisur zyrtarisht gjykimi në Apel. Trupa gjykuese vendosi në dhomën e këshillimit që të nisë gjykimin pa mbrojtës për Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin. Gykata arsyeton se të pandehurit kanë mundësi ekonomike për të zgjedhur një mbrojtës dhe se avokatët kryesisht nuk pranojnë që të marrin përsipër mbrojtjen e tyre.

Pas marrjes së vendimit në seancë ka pasur debatet dhe të pandehurit e avokatët e tjerë janë larguar. Vladimir Meçe, mbrojtësi i Emiljano Shullazit dhe Endrit Qyqes e cilësoi vendimi e gjykatës si shkelje të rëndë proceduriale. 

“Në fillim të seancës u zhvillua një debat mjaft i gjatë për faktin se e drejta e mbrojtjes prevalon mbi të gjitha të drejtat e tjera edhe mbi afatin e arsyeshëm në të cilin duhet të zhvillohet një gjykim. Por ky vendim skandaloz, i pashembullt, i padëgjuar më parë na bëri që të kërkojmë përjashtimin e kësaj trupe gjyqësore”.

Trupa gjykuese po ashtu nuk ka pranuar që të shtyjë seancën për mungesën e Blerim Shullazit. Sipas gjykatës i dyshuari nuk ka sjellë dokumenta që të vërtetojë se është i sëmurë. Vendimi në shkallë të parë për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë është dhënë më 13 Tetor të 2018. Ata u dënuan në total me 55 vite burg për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal.

Emiljano Shullazi është i izoluar në regjimin e posaçëm 41 bis dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat në Apel.

Klan News