Shqiptarët e ndoqën ndeshjen në ekranin e Tv Klan

Shqipëria nuk mundi që t’u dhurojë tifozëve të saj një fitore në shtëpi. Ndeshja me Izraelin në “Air Albania” përfundoi me rezultatin 1-2 për kundërshatarët. Këta të fundit mundën që të përmbysnin rezultatin.

Në pjesën e parë kuqezinjtë ishin të qartë të sigurt dhe agresivë. Në disa raste u përpoqën të godisnin portën. Emocionet dhe përjetimi i tifozëve u shpërblye në fund të pjesës së parë, kur Armando Broja u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit duke i çuar djemtë e Rejës të qetë në dhomat e zhveshjes.

Por në pjesën e dytë, u duk sikur skuadra humbi freskinë. Ndoshta edhe zëvendësimet e duhura nga trajneri Alon Zahan, bënë që Izraeli të shënojë dy gola me anë të Solomon. Futja në lojë e Balajt, Vrionit, Çekiçit, Ramadanit dhe Gjasulës nuk i dhanë lojës ritmin e duhur.

Vlen për t’u theksuar se Shqipërisë nuk iu dha një penallti dhe nuk iu quajt një gol pas kontrollit të VAR.

Kjo ndeshje u transmetua falas në ekranin e Tv Klan nën komentin e Alban Xhihanit dhe me ekspertizën e Ernest Gjokës. Ishte vetëm sfida e parë, pasi Tv Klan ka blerë të drejtën ekskluzive vetëm për transmetim tokësor dhe ndeshjet e kombëtares do të transmetohen në ekranin e Tv Klan për 4 vitet e ardhshme.

SHQIPËRIA: Berisha, Veseli (Çekiçi), Ismajli, Gjimshiti, Balliu, Abrashi (Vrioni), Bajrami (Gjasula), Asllani (Ramadani), Hysaj, Uzuni (Balaj), Broja

IZRAELI: Marciano, Leidner (Menachem), Goldberg, Miguel Vitor, Dasa, Karzev (Safuri), Jaber, D. Peretz, Solomon, Abada, Weissman

ARBITËR: Tiago Martins / Asistentë: Luis Campos, Rui Teixeira

Mbyllet sfida, Shqipëria humb në shtëpi kundër Izraelit për ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve! Kjo bën që ata të marrin vendin e parë të grupit me 4 pikë. Shqipëria qëndron e fundit me vetëm 1 pikë.

90’ + 6 – Izraeli fiton goditje këndi. Lojtarët largohen nga këndi i fushës për shkak të hedhjes së sendeve në fushë. Rinisja e lojës sjell fundin e saj!

90’ + 5 – Izraeli godet shtyllën!

90’ + 3 – Situatë nervozizmi! Ndërshkohet me kartonin e verdhë Peretz. Të verdhë merr edhe Endri Çekiçi!

90’ + 2 – Kros nga Elsi Hysaj! Topi përfundon në duart e portierit Marciano.

89’ – Izraeli kërkon të fitojë sa më shumë kohë. Largohet Weissman dhe në vendin e tij futet Glazer.

88’ – Goditje shumë e bukur nga Endri Çekiçi. Por topi shkon mbi traun e portës!  

83’ – Disa ndryshime nga Reja. Largohet Uzuni. Në fushën e lojës Bekim Balaj. Del edhe Abrashi. Futet në lojë Vrioni. Në mbrojtje largohet Veseli dhe futet një mesfushor si Çekiçi. Tashmë Shqipëria kalon me tre sulmues!

80’ – Safuri ndëshkohet me karton të verdhë!

80’ – Dy raste të njëpasnjëshme për Shqipërinë! Marciano shpëton portën e Izraelit!

76’ – Pas konfirmimit nga VAR, arbitri jep pozicion jashtë loje. Rezultati vijon të mbetet 2 me 1 për Izraelin.

74’ – Hysaj shënon, por arbitri pret konfirmimin nga VAR. Ankth në “Air Albania”.

72’ – Përmbysin ndeshjen izraelitët. Shënon sërish Solomon. Shqipëri 1, Izrael 2!

71’ – Goditje e rrezikshme nga Izraeli. Berisha pret!  

67’ – Largohet nga fusha e lojës Bajrami. Në vendin e tij, Reja fut Gjasulën.

66’ – Pas golit Shqipëria po has vështirësi. Lojtarët nuk po arrijnë të kryejnë presing siç duhet ndërsa në sulm nuk ka qartësi. Megjithatë duhen 24 minuta nga fundi i ndeshjes. Atmosfera në stadium është elektrizuese pavarësisht se ndeshja është barazim.

63’ – Izraeli kryen një tjetër zëvendësim. Largohet Leidner për Menachem!

58’ – Menjëherë pas golit, Reja kryen zëvendësimin e parë. Largohet Asllani ndërsa hyn në fushën e lojës, Ylber Ramadani.

57’ – Gol Solomon! Barazon Izraeli!

55’ – Spektakël i Brojës! Rrezikon portën e Izraelit, por asnjë nga shokët e skuadrës së tij nuk ndodheshin pranë zonës së portierit vetëm për të shtyrë topin drejt portës. Shqipëria humb një shans të shkëlqyer!

54’ – Bajrami provon të godasë topin nga jashtë zone. Gjuajtja bllokohet nga mbrojtësit izraelitë!

51’ – Skuadra izraelite qarkullon topin. Megjithatë Ardian Ismajli kupton gjithçka dhe i percepton topin Solomon. Ende asnjë rast në këtë pjesë të dytë.

47’ – Izraeli e nis rrezikshëm këtë pjesë të dytë. Megjithatë një goditje e tyre nga jashtë zone përfundon shumë lart traut të mbrojtur nga Berisha.

46’ – Berisha pret një goditje nga jashtë zone.

45’ – Nis pjesa e dytë e sfidës! Trajneri izraelit ka bërë zëvendësimin e parë. Largohet Karzev për Safurin.

Mbyllet pjesa e parë Shqipëri-Izrael. Shqipëria është në avantazh falë golit të Armando Brojës të shënuar nga pika e bardhë e 11-metërshit. 45 minutat e para të sfidës kanë qenë të luftuara. Edhe skuadra e Izraelit ka pasur momentet e saj të rrezikshme dhe ka qenë pranë golit. Shqipërisë iu anulua një penallti pasi arbitri portugez u konsultua me VAR-in. Në këtë pjesë të parë, lojtari më i mirë i Shqipërisë është padyshim Armando Broja. Shpejtësi, spektakël dhe në fund gol. Talenti shqiptar i ka dhënë të gjitha këtë pjesë të parë!

46’Goooooool!!! Armando Broja shënon nga pika e bardhë e 11 metërshit!

44’ – Ivan Balliu fiton penallti! Ndëshkohet me karton të verdhë Mahmoud Jabber, lojtari Izraelit që shkaktoi faull ndaj Balliut.

40’ – Armando Broja dhuron spektakël. Merr krahun e provon goditjen, por bllokohet nga Dasa. Super aksion personal i talentit të Shqipërisë!

36’ – Marciano i mohon golin Armando Brojës. Aksion i shkëlqyer i Shqipërisë! Festa u ndal nga pritja e shkëlqyer e portierit izraelit.

32’ – E katërta goditje nga këndi fitohet për Shqipërinë! Krosi i Bajramit largohet nga futbollistët e Izraelit, por jashtë vijës së tyre fundore duke fituar një tjetër goditje këndi për Shqipërinë.

29’ – E para goditje këndi për Izraelin. Luajnë një skemë e cila gjen kokën e Miguel Vitor, gjuajtja e të cilit kalon shumë pranë shtyllës. Shpëton mrekullisht porta e Berishës!

26’ – Balliu arrin që të fitojë një goditje këndi. Si gjithmonë nga këndi luan Bajrami. Harkimi i tij gjen kokën e Ardian Ismajlit. Mbojtësi godet me kokë, por topi devijohet dhe kalon mbi traun e portës. Tjetër goditje nga këndi.

22’ – Arbitri portugez shkon që të shohë më mirë në VAR rastin e prekjes me dorë nga futbollisti izraelit. Anulohet penaltia dhe kartoni i verdhë ndaj Vitor.

19’ – Prekje me dorë nga futbollistët e Izraelit. Shqipëria fiton penallti. Karton i verdhë për Miguel Vitor.

18’ – Uzuni rrëzohet në zonën e Izraelit. Lojtarët e Shqipërisë pretendojnë për një penallti. Arbitri portugez konsultohet me VAR-in dhe nuk jep penallti.

17’ – Ardian Ismajli provon të godasë me kokë. Topi shkon jashtë vijës fundore.

16’ – Faull ndaj Brojës! Karzev sërish nuk prek topin, por këmbën e Brojës. Kësaj here nuk i shpëton të verdhës dhe ndëshkohet.

13’ – Karzev shkakton faull ndaj Balliut. Arbitri e toleron edhe pse ndërhyrja ishte shumë e ashpër.

9′ – Një aksion i rrjedhshëm i lojtarëve izraelitë. Weissman rrezikon portën e mbrojtur nga Berisha.

8‘ – Amir Abrashi ndëshkohet me karton të verdhë!

7′ – Duel mesfushe! Lojtarët e Shqipërisë dhe Izraelit luftojnë fort në mesfushë për të kontrolluar topin.

5 – Shqipëria fiton goditjen e parë të këndit. Bajrami harkon rrezikshëm në zonë, por pa arritur që të depërtojë në katërkëndëshin që mbrohet nga Izraeli.

0‘ – Nis ndeshja. Topin e parë e shkelmojnë djemtë e kombëtares shqiptare!

Transmetimi në Tv Klan. Ndeshja komentohet nga Alban Xhihani dhe Ernest Gjoka. Në stadiumin “Air Albania”, Viola Spiro
Formacionet
Dhoma e zhveshjes së Izraelit
Dhoma e zhveshjes për Shqipërinë

REDAKSIA TVKLAN.AL