“Vendimi për të paaprovuarit, në dorën e Bashës dhe Kryesisë”

Ky udhëzim i Partisë Demokratike,  i miratuar në 25 Qershor ka qenë udhërrëfyesi për metodologjinë e ndjekur nga 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave për 13 emrat, të cilëve iu shty aprovimi për të qenë pjesë e listës për përfaqësim politik.

Ish-Presidenti Bujar Nishani, anëtar i këtij komisioni, sqaron se procesi u bazua në kritere që garantojnë një listë fituese në zgjedhje.

“Metodologjia ka qenë strikte e përzgjedhjes të personaliteteve me probabilitetin më të lartë për të mbledhur vota përtej votuesit tradicional të Partisë Demokratike. Për të përzgjedhur individët të cilët kanë lidhje të forta, kanë aftësi për të komunikuar me qytetarin dhe kanë probabilitetin e lartë për të paraqitur besueshmëri e projektit të qeverisjes së re të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme”.

Nuk preferon të flasë për emra të përveçëm, pavarësisht kontributit të tyre në radhët e Partisë Demokratike, por thotë se vendimet për secilin prej kandidatëve kanë qenë të fshehta.

“Është e vërtetë që në shumicën dërrmuese, vendimet kanë qenë konsensuale, por ka pasur edhe vendime të cilat kanë qenë edhe të ndara në votim. Madje ka qenë një votim i fshehtë midis anëtarëve të këtij komisioni, por në fund vendimi është konsideruar një vendim kolegjial i Komisionit.”

Por a ka tagër Lulzim Basha dhe kryesia e Partisë Demokratike të bëjë pjesë të listës finale ndonjë prej emrave që nuk morën dakordësinë e 5 anëtarëve të përzgjedhur për të bërë seleksionimin e kandidatëve për deputetë?

“Nëse Kryesia dhe Këshilli do të marrin vendime të tjera për të ndryshuar të mëparshmet është target politik i atyre strukturave por nuk mund të gjykoj dhe nuk mund të paragjykoj asnjë vendim që mund të marrin strukturat drejtuese të Partisë Demokratike në të ardhmen”.

Lista me 13 emrat të cilëve iu shty aprovimi për të vijuar garën për kandidatë për deputetë do të kalojë për shqyrtim dhe votim në Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Sipas këtij udhëzimi, në nenin 33 saktësohet se ata do të përbëjnë një listë të certifikuar të burimeve njerëzore në Partinë Demokratike dhe do kenë mundësi të jenë pjesë e niveleve ekzekutive politike, si dhe të mbajnë poste drejtuese shtetërore dhe në administratë.

Tv Klan