BSH: Shumica e dërgesave të emigrantëve shkon për konsum

Afërsisht një e katërta e familjeve që jetojnë në Shqipëri jetojnë duke patur si burim kryesor të të ardhurave të tyre dërgesat e emigrantëve. Në një studim të bërë nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore, vlerësohet se 23% e familjeve në vitet 2014-2018 kanë përfituar nga remitancat, ndërsa vlera vjetore mesatare e këtyre dërgesave arrin në 2 mijë euro në vit për një familje.

“Për shumicën e familjeve, këto të ardhura vlerësohet të përbëjnë burimin kryesor për përballimin e shpenzimeve të konsumit dhe të investimeve.”

Raporti tregon se 69% e të ardhurave nga emigracioni shkon për përballimin e nevojave për konsum të ushqimeve dhe shpenzimet e tjera në banesë si ujë dhe energji elektrike. Analizat e bankës qendrore kanë evidentuar se kostot e dërgesave të parave për emigrantët janë të larta, ndërsa forma kryesore e pagesave është “cash”-i, duke rënduar kostot në ekonomi.

“Vlerësohet që në mungesë të këtyre kostove, rritja ekonomike për vitet 2014-2018 do të ishte rreth 3.8%, 0.7 pikë përqindje më e lartë se norma faktike.”

Për 9 muajt e parë të vitit 2019 të ardhurat e emigrantëve arritën në 351 milionë euro, kundrejt 501 milionë eurove që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tv Klan