Autori: E vrava dhëndrin për nderin e vajzës

“Një proces divorci i nisur prej disa muajsh në Gjykatën e Tiranës përfundoi tragjikisht këtë të premte vetëm pak metra larg saj. Babai i vajzës qëlloi me plumba ish-dhëndrit duke e lënë të vdekur, ndërsa avokatin e këtij të fundit të plagosur”.

Ky është Kudret Saliaj, personi që u vra nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari, ky që po shihni në këto pamje.

Ngjarja ndodhi në një lokal afër Gjykatës së Tiranës.

Kjo foto me viktimën e shtrirë në tokë është bërë vetëm pak çaste pas krimit. Në tavolinë me viktimën ishte avokati i tij, Adriatik Cama, ish-prokuror. Ai u plagos, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kudret Saliaj mori 5 plumba nga 8 të qëlluar nga një distancë e afërt.

E gjithë ngjarja ndodhi vetëm 10 minuta përpara seancës gjyqësore që zhvillohej për divorcin mes Kudret Salajt dhe Dhurata Saliajt.

Rreth 1 orë pas ngjarjes autori i krimit, Mexhit Picari u vu në pranga nga policia.

53-vjeçari Mexhit Picari e ka pranuar krimin duke thënë në polici se gjithçka e bëri për nderin e vajzës. Çifti, që kishte 3 fëmijë, kishte pasur probleme të vazhdueshme. Ato u bënë publike edhe në emisionin Uniko në Klan Plus pak muaj më parë, teksa Dhurata Saliaj tregoi se si dhunohej nga bashkëshorti.

Gruaja 32-vjeçare ishte larguar me dhunë nga shtëpia e burrit, që e akuzonte për tradhti madje ajo kishte përfunduar dhe në burg, e akuzuar nga vjehrra për dhunë.

Ndërsa babai i saj, rrëfente për të njëjtin konflikt, se dhëndri e kishte kërcënuar se do t’ia vriste vajzën.

Tv Klan