Një person i armatosur ka hapur zjarr me armë ndaj forcave të policisë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zavalinë të Elbasanit.

Tvklan.al mëson se policia shkoi për të shoqëruar të dyshuarin Josif K. pas një vendimi gjykate. Por, sapo ai ka parë policinë, ka qëlluar me armë në drejtim të tyre dhe më pas u largua.

Nga të shtënat me armë nuk ka persona të lënduar. Drejt vendngjarjes janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA.

Mësohet se i dyshuari Josfi K. është arratisur drejt pyllit të fshatit dhe është i armatosur. 

Informacioni paraprak i Policisë Elbasan:

Më datë 24.12.2020, forcat e  Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan  kanë shkuar në fshatin Selte, Elbasan, për kontroll banese, me vendim Gjykate, në banesën e shtetasit J. K., pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë arritur në banesën e shtetasit J. K., ky shtetas, në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë  duke u rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të lënduar. Policia Vendore ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë.

Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat speciale Renea. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al