Nuk ka datë për negociatat në mbledhjen e Ministrave të BE




Nuk ka datë për negociatat në mbledhjen e Ministrave të BE

19:39 22/06/2021

Bullgaria nuk ka dhënë ende miratimin për Maqedoninë e Veriut

Nuk ka dakordësi për caktimin e një date për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian për anëtarësimin. Gjatë diskutimeve në Luksemburg mes Ministrave për Çështjet Europiane të vendeve anëtare, Zëvendëspresidentja e BE-së, portugezja Ana Paula Zakarias tha se nuk është arritur një dakordësi.

“Pavarësisht gjithë përpjekjeve nuk qe e mundur që të arrihej në një konsensus për kornizat negociuese për RMV dhe Shqipërinë për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me këto dy vende. Megjithatë ne nënvizuam që presidenca e ardhshme sllovene do të vazhdojë përpjekjet e saj që me shpresë do të çojë në një konkluzion pozitiv shpejt, në bazën e rekomandimeve që Presidenca portugeze ka vënë mbi tavolinë. Perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor është jetike për BE-në dhe është e rëndësishme për të mos e humbur këtë moment”.

Mosmarrëveshjet mes Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për çështjet kulturore kanë mbajtur peng edhe Shqipërinë në mbledhjen e sotme. Para takimit, Ministri gjerman Michael Roth, u shfaq kritik me Bullgarinë.

“Komisioni Europian dhe qeveria federale gjermane janë të mendimit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur detyrimet e tyre, në mënyrë që ne tani të nisim nga puna. Unë shpresoj që sot të arrijmë në rezultate të arsyeshme. Shpesh habitem që për çështje strategjike mendojmë shumë ngushtë. Këtë rajon duhet ta kemi në konsideratë, pasi po lamë vakume, ato do të mbushen nga të tjerë që nuk janë të përkushtuar ndaj vlerave tona”.

Për ministrin sllovak duhet mesazh pozitiv për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon.

“Jam në pritje të rezultateve të mira dhe përgjigjeve pozitive, pasi është fjala për besueshmërinë e Bashkimit Europian në këtë rajon, që për Sllovakinë është shumë e rëndësishme”.

Javën e kaluar u hoq një barrierë e fortë kundër hapjes së negociatave, siç ishte parlamenti holandez që miratoi çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Opinioni i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe Europës do të merret parasysh në samitin e liderëve të unionit të Enjten dhe të Premten ku jepet vendimi përfundimtar. 

Tv Klan





Të ngjashme