Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë u tha sot se afërsisht 1 në 10 njerëz mund të jenë infektuar me koronavirus, duke lënë pjesën dërrmuese të popullsisë së botës të prekshme nga kjo sëmundje.

Në deklaratën e dhënë për Bordin Ekzekutiv të agjencisë, Mike Ryan, i cili njihet si eksperti më i mirë i urgjencës së OBSH-së, u shpreh se infektimet ishin në rritje në disa pjesë të Azisë Juglindore dhe vdekjet ishin në rritje në pjesë të Evropës dhe rajonit të Mesdheut Lindor.

“Vlerësimet tona më të mira aktuale na tregojnë se rreth 10% e popullsisë globale mund të jenë infektuar nga ky virus. Kjo ndryshon në varësi të vendit, ndryshon nga qyteti në fshat, ndryshon në varësi të grupeve. Por do të thotë se shumica e botës mbetet në rrezik.”

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, bëri të ditur se ka dorëzuar një listë të ekspertëve te autoritetet kineze, për të shqyrtuar dhe konfirmuar një mision ndërkombëtar i cili do të mbahet në Kinë, për hetimin e origjinës së virusit./tvklan.al