OBSH: Pandemia po përhapet shumë shpejtë

Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin se pandemia e Covid-19 ka aktualisht ritmin më të shpejtë të përhapjes që prej nisjes së saj në fillim të këtij viti. Zyrtarët e kësaj organizate thanë se javën e fundit ka pasur mbi 160 mijë të infektuar çdo ditë. Aktualisht përllogariten gjysmë milioni viktima mes gati 11 milionë të prekurve në gjithë globin. OBSH paralajmëron se me këto ritme, shumë vendeve të botës do t’ju duhet të rivendosin masat bllokuese, si e vetmja zgjidhje për frenimin e përhapjes.

Shtetet e Bashkuara janë aktualisht vatra më aktive e globit. Përhapja aktualisht është më e shpejtë se në atë që u konsiderua kulmi i pandemisë në muajt Prill-Maj. Këtë të enjte, numri ditor i të prekurve arriti rekordin prej rreth 53 mijë të prekurish.

Kreu i Institutit të Sëmundjeve Infektive, Entoni Fauçi tha se nëse situata nuk vihet në kontroll, gjendja mund të precipitojë në katastrofë. Situata duket se ka bërë të ndryshojë mendje edhe presidentin Donald Trump, i cili tashmë shprehet pro mbajtjes së maskave edhe pse thotë se kjo nuk duhet të jetë e detyrueshme.

Frika e rikthimit të ritmeve të larta të përhapjes ekziston edhe në Europën Perëndimore ku aktualisht situata duket e qetë. Autoritetet franceze thonë se po përgatiten për një valë të dytë që mund të shpërthejë me nisjen e sezonit të ri mësimor në gjithë vendin në Shtator.

Tv Klan