Vendimi pritet të lehtësojë lëvizjen drejt BE

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë dritën jeshile për përdorim emergjent vaksinës kineze të kompanisë Sinovac që po përdoret masivisht edhe në Shqipëri.

Ekspertet e shëndetësisë botërore pasi shqyrtuan të dhënat e vaksinës kanë garantuar se ajo i plotëson të gjitha standardet e sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit.

Sinovak po përdoret tashmë në 24 shtete të botës dhe studimet kanë dhënë rezultate të mira sa i takon efikasitetit. Vaksina e ndarë në 2 doza konsiderohet 95% efektive për të evituar vdekjen, pasojat e rënda dhe shtrimin në spital. Edhe ata pak që infektohen pas marrjes së dozave e kalojnë sëmundjen me simptoma të lehta. Pas këtij vendimi ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që në një postim në rrjetet sociale e ka konsideruar aprovimin e OBSH një lajm të mire për shqiptarët.

Burime nga ministria e Shëndetësisë thanë se miratimi i OBSH-së për vaksinën kineze Sinovac pritet të ketë ndikimin pozitiv edhe në lëvizjen drejt vendeve të Bashkimit Evropian të shqiptarëve që i kanë bërë të dyja dozat.

Disa vende si Greqia, Bullgaria apo Hungaria prej kohesh e kanë njohur vaksinën kineze tek ata që e kanë injektuar.

Vendi ynë deri më tani ka siguruar rreth 1 milion doza të vaksinës Coronavac, prej të cilave rreth 560 mijë kanë mbërritur dhe rreth 96% e tyre janë injektuar në popullatë. Kjo është vaksina e dytë kineze që merr miratimin nga OBSH pas vendimit për Sinofarm të bërë pak javë më parë.

Tv Klan