COVAX ka marrëveshje për 500 milionë doza

Pas agjencive amerikane dhe evropiane të barnave, vaksina kundër COVID-19 e prodhuar nga Johnson&Johnson është vulosur dhe ka marrë autorizim për t’u përdorur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo është vaksina e tretë që merr mbështetjen e OBSH-së, pas asaj të Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca-s. Ky miratim lejon që vaksina e vetme deri më tani me një dozë të përfshihet në portofolin e programit COVAX.

“Ne shpresojmë se kjo vaksinë e re do të ngushtojë hendekun e krijuar në shpërndarjen e vaksinave” – tha kreu I OBSH-se Tedros Adhanom Ghebreyesus.

COVAX, ka një marrëveshje me J&J për 500 milionë doza. Vaksina parandalon infektimin me koronavirus në 66% të rasteve, ndërsa është 85% efektive në shmangien e pasojave të rënda. Komisioni Europian ka porositur mbi 400 milionë doza nga kjo firmë. Shpresat janë që kjo firmë të përshpejtojë procesin e vaksinimit pasi ka ritme më të shpejta furnizimi se firmat të cilat prodhojnë vaksina me dy doza.

Tv Klan