48 orë kohë për Dashamir Gjokën, Emiljano dhe Edlir Hysenin

Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur formularin tre personave në qytetin e Durrësit të dënuar më parë ose të arrestuar për vepra të rënda penale, ku kërkon përgjigje për burimin e pasurisë së tyre.

Kërkesa i është dërguar Dashamir Gjokës, i dënuar në 2007-tën në Itali për trafikim qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai është administrator i kompleksit Gjoka dhe brenda 48 orëve duhet të justifikojë burimin e pasurisë.

“Kjo nuk është hëra e parë që shtetasit Dashamir Gjoka i kërkohet justifikimi i pasurisë. Edhe më parë kompleksi tregtar, dhe shumë nga shumë pasuritë e paluajtshme që ky shtetas dhe familjarët e tij kanë në pronësi, janë vendosur nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me zbatim të ligjit anti-mafia, pasi dyshohej se pasuritë buronin nga aktivitete kriminale. Por pa mundur të kalojnë në konfiskimin e tyre”.

Bazuar në ligjin anti-mafia, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi konfiskim e pasurisë së Dashamir Gjokës me dyshimin se ajo është krijuar nga aktiviteti kriminal. Por në Korrik të 2017-s, Apeli i Krimeve të Rënda ndryshoi vendimin duke ia kthyer pasurinë. Në vendim thuhet se Gjoka e ka krijuar pasurinë përmes investimeve, por edhe 3 kontratave huaje që ka marrë nga kompani të huaja.

Kërkesa me shkrim për të justifikuar pasuritë i është dërguar edhe Emiljano Hysenit dhe vëllait të tij Edlir Hyseni. Emiljano Hyseni është arrestuar në Gjermani pas sekuestrimit të një sasie të madhe kokaine, ndërsa vëllai i tij dyshohet se administron pasuri të prejardhura nga krimi. Emiljano Hyseni është arrestuar në vitin 2018 së bashku me 12 shqiptarë të tjerë ku iu kap një sasi prej 1.8 tonë kokainë.

“Këta individë, si subjekt i ligjit special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre”, tha punonjësja e OFL.

Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit sekuestroi pasuritë e disa personave në Shkodër, të dyshuar si të përfshirë në pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 Janar 2020, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Tv Klan