Po dërgoheshin në Itali me 3 gomone, në pranga 5 persona

Rreth 1 ton kanabis u kap në kuadër të një operacioni të përbashkët mes policisë së Vlorës dhe Guarda Di Finanza-s. Lënda narkotike po dërgohej nga qyteti bregdetar drejt Italisë përmes këtyre skafeve që shihni në këto pamje, ndërsa në pranga përfunduan  5 persona.

Konkretisht nga policia u arrestuan 3 të rinj nga Vlora dhe 2 shtetas ukrainas, në Velierën e të cilëve u gjet ngarkesa prej 992 kg kanabis. Ndërsa në kërkim u shpall dhe një 33-vjeçar po nga qyteti bregdetar.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i policisë së Vlorës, Gentian Berberi dha më tepër detaje për operacionin e finalizuar pasditen e së dielës.

‘Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.  Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane. Gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako”.

Në kuadër të operacionit të koduar ‘The Eye’, gjatë kontrollit të banesave të personave të arrestuar uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, 3 aparate celulare dhe 2 automjete.   

Tv Klan