Operacionet në sy, veshë dhe hundë prej kohësh kryhen me mjaft vështirësi në shërbimin e ORL-së. Krahas problemit të aspirimit në tre sallat e këtij shërbimi mungojnë që nga kompresat e deri tek medikamentet e anestezisë.

“Ne gjendemi prej kohësh në vështirësi, madje në disa raste nga mungesat kemi anuluar dhe interventet e planifikuara. Këto mangësi fillojnë që nga materialet e buta, kompresa, çarçafë, veshjet e sallës duke vazhduar pastaj me pjesën tjetër në të cilën do të përfshihen materialet që përdoren për anestezi për të sëmurët, preparatet e ndryshëm që përdoren për anestezi, si dhe materialet e konsumit.”

Por në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mungesat në medikamente apo aparatura janë të shumta. Në shërbimin e Nefrologjisë prej 3 vjetësh nuk punon aparatura për thyerjen e gurëve në veshka, kjo pohohet edhe nga drejtoria e spitalit.

“Liptotripteri ka 3 vjet që nuk punon në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi asnjë nga firmat private që ne kemi kontaktuar nuk ka marrë përsipër rregullimin e pjesëve që i janë prishur kësaj aparature.”

Ndërkaq mungesat në ekzaminime, medikamente apo aparatura sipas mjekëve kanë çuar në uljen e numrit të operacioneve që kryhen në këtë qendër spitalore, por nga ana tjetër drejtoria e spitalit deklaron të kundërtën. Sipas saj gjatë vitit 2007 janë kryer 14 400 opracione, rreth 300 operacione më shumë se një vit më parë./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami