1540 policë në aksion, sekuestrohen 172 mln Lekë

115 persona janë vënë në pranga pas një operacioni të madh të policisë në 8 qarqe të vendit për ndalimin e lojërave të fatit online.

Edhe pse bastet sportive u ndaluan me ligj në Janar të vitit 2019, individë të ndryshëm e kanë zhvilluar këtë aktivitet në internet, në mënyrë të paligjshme.

 “Janë arrestuar 115 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 24 dhe 2 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar në total 172 milion Lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Plot 1540 forca policie, përfshi ato të RENEA-s dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë marrë pjesë në operacionin e zhvilluar në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Berat, Shkodër e Lezhë. Vetëm në kryeqytet janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit, ndërsa u sekuestrua edhe një sallë që monitoronte aktivitetin e paligjshëm në disa pika bastesh. Grupi hetimor zgjodhi të ndërhyjë të enjten në mbrëmje kur luheshin ndeshjet e Europa league dhe numri i lojtarëve ishte i madh.

Sipas ligjit të hyrë në fuqi 1 vit më parë, organizimi i lojërave të fatit dënohet me burg nga 7 deri në 15 vjet.

Tv Klan