Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor i ka kthyer përgjigje akuzave të opozitës në Fier dhe siguron qytetarët që ekipet e epidemiologëve janë në krye të detyrës në çdo cep të vendit. Prej 8 muajsh po bëjnë një punë të palodhur për gjurmimin, hetimin, dhe testimin e rasteve të dyshuara.

Në një deklaratë për mediat thuhet se numri i testimeve është rritur në mënyrë progresive dhe sot është katërfishuar krahasuar me fillimin e epidemisë.

“Në përgjigje të akuzave të pabaza të deputetëve të opozitës në Fier, sqarojmë se numri i tamponëve lidhet me hetimin epidemiologjik në terren i cili po ndiqet me përpikmëri dhe profesionalizëm të lartë nga ekipi i epidemiologëve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Fier.  Vetëm gjatë muajit të fundit në Fier janë marrë mbi 1200 tamponë, përherë duke u bazuar në hetimin dhe gjurmimin epidemiologjik në terren”, thuhet në deklaratë.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor fton çdokënd që të mos bëjë politikë me sëmundjen dhe të mos dezinformojë opinionin publik

“I sigurojmë qytetarët që njësitë vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin janë në krye të detyrës 24/7 dhe po bëjnë maksimumin për shërbimin ndaj pacientëve. Ftojmë qytetarët që të lidhen menjëherë me mjekun e familjes kur kanë dyshime për prekjen nga virusi Sars Cov2 dhe të mos neglizhojnë ndjekjen e rregullt me mjekun e tyre”, mbyllet deklarata.

Më herët, kryetari i PD-së në Fier deklaroi se atje ka mungesë tamponësh për testimin ndaj koronavirusit. /tvklan.al