Opinion-Koronavirus dhe izolim!

Opinion-Koronavirus dhe izolim!

Autori: Blendi Fevziu

21:20 18/03/2020

Si ndikon izolimi tek njeriu, flet psikiatria

Mjekia psikiatre Fatime Elezi ka shpjeguar se si ndikon izolimi tek njeriu.

Në studion e “Opinion”, ajo thotë se izolimi në të cilin ndodhen qytetarët shqiptarë këto ditë për shkak të Covid-19, ka bërë që t’u ndryshohet stili i jetesës.

“Izolimi na bëri të ndryshojmë stilin e jetës, të mos kemi dot komunikimin që kemi pasur çdo ditë… na ka ndryshuar stili i jetës. Kemi rënie të përqëndrimit, çrregullohet të ngrënit, disa të tjerë mund të reduktojnë ankthin me abuzimin e alkoolit apo substancave të tjera, prishet gjumi… kanë nervozizëm, vështirësi për të duruar tjetrin… të gjithë këto e çrregullojnë funksionalitetin e mirë që ka pasur gjithsecili”.

Ebola apo Covid-19 më e rrezikshme? Raka: Sëmundja më e rëndë në planet…

Lul Raka, profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës, në një lidhje me Skype për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka bërë një krahasim mes Ebolës dhe COVID-19 për nga shkalla e rrezikshmërisë.

Raka shprehet së Ebola është sëmundja më e rrezikshme në planet dhe e pakrahasueshme për nga vdekshmëria, por për shkallën e përhapjes, COVID-19 është më i lartë.

Ai tregon se gjatë kohës kur ka shërbyer si mjek vullnetar në  për luftimin e Ebolës, vdekshmëria për të prekurit ishte 90%, por shkalla e përhapjes ishte më e ulët në krahasim me koronavirusin.

“Në kohën kur kam qenë unë në Mondrovia, vdekshmëria (nga Ebola) ka qenë 90%, është sëmundja më rrezikshme në planet… për nga rreziku dhe vdekshmëria është e pakrahasueshme, por për shkallën e përhapjes ka qenë më e izoluar, duhej kontakt shumë i afërt për një periudhë kohore shumë më të gjatë që të përhapej infeksioni. Por edhe atëherë janë prekur mbi 1 mijë punonjës shëndetësor, në Liberi, Guine dhe Sierra Leone. Secila ka dhënë probleme dhe tani po përballemi me një pandemi dhe me të dhënat e fundit, me rrugët e përhapjes, një sfidë e jashtëzakonshme që duhet të përgatitemi për t’u përballur. Por të gjithë së bashku do ta kalojmë më lehtë, nëse secili kryen detyrën e vet, do ta kalojmë më lehtë”. 

A ia dalim dot? Mjeku: Po cili sistem shëndetësor mundet?!

Mjeku reanimator Krenar Lila ka vijuar thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve për të treguar shumë kujdes në këtë situatë të vështirë të krijuar për shkak të koronavirusit, e duke thënë se e vetmja zgjidhje është vetëizolimi në shtëpi.

I ftuar në “Opinion”, ai thotë se kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Ndërkaq i vënë përballë një pyetje thelbësore dhe të vështirë, se a ka mundësi sistemi jonë shëndetësor t’ia dalë në këtë stuatë, ai shprehet: Asnjë sistem shëndetësor nuk ia del dot një furie kaq të madhe. Ajo masë që duhet marrë është këputja e zinxhirit të transmetimit të sëmundjes.

Blendi Fevziu: Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që mund ta përballojë? Jeni i sigurt doktor?

Mjeku: Po kush sistem shëndetësor mund t’ia dali dot një furie njerëzish që të mësyjë spitalet dhe aq më tepër të gjitha qendrat e terapisë intensive?!

Mjeku: Problemi kryesor që ka një i prekur me koronavirus

Shqipëria është duke u përballur me një situatë të vështirë për shkak të koronavirusit që deri më tani ka prekur 59 persona, ku janë shënuar edhe 2 viktima.

I ftuar në emisionin “Opinion”, mjeku Krenar Lila, mjek reanimator në QSUT, ka treguar se cilat shenjat e një personi pasi preket nga ky virus.

Lila tha se problemi i vetëm që këta persona kanë, është pamundësia për të marrë frymë, por kjo vetëm për të sëmurët që nuk kanë sëmundje të tjera shoqëruese.

“Kanë vetëm një gjë, pamundësi për të marrë frymë, për ata që nuk kanë sëmundje të tjera shoqëruese, sepse ata që kanë sëmundje të tjera, rënia e nivelit të oksigjenit në gjak mund të shkaktojë komplikacione. Pamundësia për të marrë frymë nuk është e  dhimbshme, por është ankcioze (gjendje ankthi) dhe duhet ndërhyrë shpejt”.

Ndërkaq ai tha se një pacient që futet në terapi intensive, kohëzgjatja që kërkon kjo ndërhyrje kërkon disa ditë. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:20 18/03/2020


Grupi