Meta në një rrëfim ndryshe në “Opinion”: E gjithë rinia donte ndryshim në 1990

Presidenti Ilir Meta në një intervistë ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu ka treguar detaje nga lëvizja e Dhjetorit të vitit 1990. Në një rrëfim ndryshe, Meta ka treguar se e gjithë rinia donte që vendi të ndryshonte, pasi kriza ekonomike ishte rënduar shumë.

Blendi Fevziu: Zoti Meta kanë kaluar 30 vjet nga Lëvizja Studentore për ndryshimin e sistemit në Shqipëri. Ju jeni një nga 10-15 personat ende aktivë, që kanë marrë pjesë nga dhjetori e këndej dhe njëkohësisht një nga 3-4 personat kryesore gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme të kësaj pjese postkomuniste, edhe pse po ju pyes për pjesën e formimit tuaj pak më herët?

Presidenti Ilir Meta: Momentet më të rëndësishme janë pikërisht Lëvizja Studentore dhe hyrja në një epokë të re të pluralizimit politik e demokracisë.

Blendi Fevziu: Ju keni thënë një gjë shumë interesante në fjalën që u drejtuat të rinjve me rastin e 8 dhjetorit: Thatë që po të prisja unë që ndryshimin ta bënte babai, s’do të kishte ndodhur kurrë.

Presidenti Ilir Meta: Jo vetëm unë, por shumica e atyre që kanë qenë atë Lëvizje, besoj se ndajnë të njëjtin vlerësim edhe sot pas 30 vitesh.

Blendi Fevziu: E donit vërtet ndryshimin në ato ditë?

Presidenti Ilir Meta: Padyshim! E gjithë rinia në atë kohë kërkonte një ndryshim, sepse e kishte kuptuar që vendi po lëngonte shumë…

Blendi Fevziu: Jo, doja t’ju pyesja në fakt ndryshimin e kërkonin të gjithë, por dukej se për ju ishte pak më e vështirë. Babai juaj, ju kishit një lidhje me komunizmin, familja juaj kishte qenë e lidhur me luftën, babai juaj ishte oficer, pra nuk dukej se kishit ndonjë pakënaqësi që lidhej drejtpërdrejt me sistemin.

Presidenti Ilir Meta: Shumica e shoqërisë kërkonte një ndryshim, sepse situata kishte ardhur aty ku nuk mbante më. I kemi parasysh të gjithë tallonat…

Blendi Fevziu: Ushqimi i racionuar…

Presidenti Ilir Meta: …ushqimi i racionuar, 80% në fabrika dhe uzina, ishin në pamundësi për të punuar dhe për të marrë një pagë të atyre standardeve që meritonin të merrnin. Probleme pafund, që detyruan futjen e shqiptarëve në ambasada…

Blendi Fevziu: Përplaseshit me babain për këto gjëra? Çfarë kërkonit ju dhe çfarë ju thonte ai?

Presidenti Ilir Meta: Po, patjetër, sepse sikurse edhe ju e thatë familja ime ishte një familje e lidhur shumë me Luftën Antifashiste dhe në këtë kuptim, më pas, edhe me sistemin. Jo në kuptimin e privilegjeve, por në kuptimin e të mos qenit të persektuar.

Blendi Fevziu: Me përjashtim të një pakice të vogël, pjesa tjetër nuk është se kishin ndonjë privilegj të madh.

Presidenti Ilir Meta: Nuk ishim një familje, që vuante nga persekutimi siç ishin shumë familje në Shqipëri apo nga mungesa e shanseve për të garantuar një standard të pranueshëm për atë kohë, si e drejta për në shkollë të lartë apo për punë. Këto ishin standardet e asaj kohe dhe ne i kishim këto mundësi.

Si e kujton Ilir Meta takimin me Ramiz Alinë: Mendonim se ishte kurth, por…

Në Dhjetor të vitit 1990, Ilir Meta u takua me Presidentin e asaj kohe Ramiz Alinë në Pallatin e Brigadave për të diskutuar për rrëzimin e komunizmit.

Por si e kujton Meta atë takim? Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Meta shprehet çështja kryesore e takimit ishte pluralizmi.

Gazetari: Dhe u takuat në Pallatin e Brigadave në atë kohë. Si e kujtoni takimin me Ramiz Alinë? Kishit frikë? Kishte tension? Ishit të bindur se do ta merrnit pluralizmin?

Presidenti Meta: Ajo që kujtoj më shumë është momenti për të vajtur te takimi, sepse ekzistonte një ide e përgjithshme që mund të jetë një kurth.

Gazetari: Po, patjetër.

Presidenti Meta: Ndaj dhe si garanci, për të pasur një qetësi e lehtësim psikologjik, bashkë me ne studentët, në autobusin për në Pallatin e Brigadave, erdhën si garantë zoti Gjinushi, Ministër i Arsimit dhe zoti Bashkurti, Sekretar i Parë i Rinisë në atë kohë. Pra e para ishte pasiguria se çfarë do të ndodhë. E dyta…

Gazetari: A kishit përgatitur një platformë për në bisedime?

Presidenti Meta: Po, besoj se diçka e tillë ishte dakorduar. Ishte diskutuar për çështjen e pluralizimit, sepse kjo ishte kthyer tashmë në kërkesën kryesore dhe kuptohet se kjo ishte platforma kryesore.

Gazetari: Vetëm pluralizimi?

Presidenti Meta: Po, kjo ishte çështja kryesore.

Gazetari: Dhe në Pallatin e Brigdave me Presidentin e vendit, i cili në fakt ishte Sekretari i Parë i Partisë së Punës…

Presidenti Meta: Ai sapo dilte nga pleniumi i Komitetit Qendror.

Gazetari:  Ishte i hapur apo agresiv me ju Ramiz Alia?

Presidenti Meta: Ishte një politikan, që gjithmonë testonte.

Gazetari: E dinte Ramiz Alia që i kishte ardhur fundi Partisë së Punës atë ditë?

Presidenti Meta: Besoj se ka qenë i ndërgjegjshëm. Nga çfarë unë kam biseduar me Ramiz Alinë më pas, edhe pas 10 vitesh apo në periudha të mëvonshme mendoj se ai ishte i ndërgjegjshëm që ishte një proces që duhet të ndodhte. A ka dashur ai ta ketë procesin sa më shumë nën kontroll? Padyshim që po, por ai shikonte raportin e forcave dhe i përshtatej asaj situate.

Lëvizja e Dhjetorit, Meta: Pakënaqësia s’ ishte vetëm ekonomike, si u bëra pjesë e delegacionit që takoi Alinë

Presidenti Ilir Meta, një nga njerëzit që ka pasur më shumë pushtet në 30 vitet e demokracisë ka treguar sot në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballe Blendi Fevziu ka treguar të gjithë rrugëtimin e tij.

Meta ka thënë se pakënaqësia në Shqipëri në vitin 1990 përveç se ishte ekonomike, qytetarët kërkonin dhe liri të tjera politike. Kreu i shtetit po ashtu ka treguar se si u bë pjesë e delegacionit për të takuar Ramiz Alinë.  

Blendi Fevziu: Çfarë nuk ecte sipas jush? Ju ishit në atë kohë20-22-vjeçar në Lëvizjen Studentore, pa i mbushur 22 vjeç. Çfarë nuk ecte sipas jush? Çfarë pakënaqësie kishit ju me sistemin?

Presidenti Ilir Meta: E theksova aspektin ekonomik dhe të gjithë kufizimet e tjera.

Blendi Fevziu: Ishte pakënaqësi vetëm ekonomike zoti Meta apo kishte pakënaqësi të tjera?

Presidenti Ilir Meta: Jo, nuk ishte thjesht ekonomike se po të ishte e tillë, protesta e studentëve me disa premtime për të rregulluar kushtet ekonomike do të ishte zbutur.

Ishte e qartë se vendi kishte nevojë për një ndryshim politik. Të drejtat e njeriut ishin në një gjendje mjaft të mjeruar dhe kishte filluar një sensibilizim i gjerë për të hapur rrugën e ndryshimeve politike.

Blendi Fevziu: Zoti Meta ju u gjendët në Lëvizjen Studentore dhe u bëtë pjesë e delegacionit të studentëve që shkoi të negocionte me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë, i cili e kishte zyrën në këtë godinë. Si u përfshitë në atë delegacion, në Lëvizjen Studentore?

Presidenti Ilir Meta: Lëvizja Studentore erdhi si një lloj procesi. Protesta e studentëve kishte filluar përpara 8 dhjetorit ‘90 po të kemi në konsideratë disa takime të zhvilluara në fakultete të ndryshme, nga eksponentë të udhëheqjes së asaj kohe, që synonin të testonin dhe mbajtur nën kontroll rininë apo elitën e rinisë studentore të asaj kohe. Unë kisha marrë pjesë në disa debate të organizuara në Fakultetin e Ekonomisë me disa eksponentë të Komitetit Qendror që vinin në atë kohë.

Blendi Fevziu:  Ishin disa tentativa për ta zbutur situatën.

Presidenti Ilir Meta: Unë isha edhe Sekretari i Rinisë i degës së Ekonomisë Politike në atë periudhë, isha një person i njohur dhe debatet e mia krijuan një efekt me këta drejtues, me këta eksponentë. Për më tepër bëra një mbrojtje të profesor Gramoz Pashkos pas një interviste që ai dha në “Zërin e Amerikës”.

Ilir Meta: Si u bëra deputet 23 vjeç, kush ishte personi i parë që takova në PS

Në një rrëfim ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, Ilir Meta ka folur për karrierën e tij politike që nga fillimi i viteve ’90.

Meta ka treguar se si u bë deputet për herë kur ishte vetëm 23 vjeç. Ai tregon edhe personin e parë që takoi në selinë e Partisë Socialiste në Nëntor të vitit 1991.

Gazetari: Kur trokitët për herë të parë në derën e Partisë Socialiste zoti Meta? E kujtoni kur dhe kë keni takuar?

Presidenti Meta: Po, e kujtoj. Personi i parë besoj se ka qenë Musa Ulqini, sepse ai merresh me organizimin.

Gazetari: Në nëntor të vitit 1991?

Presidenti Meta: Po, në nëntor duhet të ketë qenë. Sepse qëllimi ka qenë…

Gazetari: Në zyrat e Partisë Socialiste?

Presidenti Meta: … qëllimi i tyre ka qenë për të organizuar një eveniment të madh me të rinj, që ishte pikërisht 15 janari i vitit 1992 kur u bë takimi i parë kombëtar i Rinisë Euro-Socialiste në Pallatin e Kongreseve. Ishte një manifestim për të treguar se: “Shikoni, edhe PS-ja ka të rinj, ka të ardhme!”.

Ishte një situatë tepër dëshpëruese për Partinë Socialiste dhe ishte një revansh i papërmbajtshëm i Partisë Demokratike. Në këtë drejtim kam përshtypjen se Musai e kishte marrë si detyrë kryesore të merrej me këtë  çështje nga Partia Socialiste dhe këta pedagogët si puna e…

Gazetari: Pra i pari që takuar ishte Musa Ulqini në Partinë Socialiste?

Presidenti Meta: Po, personi i parë.

Gazetari: Po më pas, me kë keni kontaktuar? Që vendosi për karrierën tuaj?

Presidenti Meta: Për karrierën time do të flasim më pas, por unë jam takuar me zotin Ulqini për arsye, sepse zoti Sherif Bundo dhe disa të tjerë ishin përfshirë në këtë  çështje me idenë që do të bëhet diçka e re, që s’ka lidhje me ish-komunistët. Pra FRESSH-i, do të jetë diçka ndryshe.

Gazetar: Një strukturë më e pavarur?

Presidenti Meta: Po, unë gjithmonë personalisht kam qenë i njohur me idetë social-demokrate, sepse edhe në shkollë më përpara kisha lexuar shumë për Vili Brandin, për Ost-Politikën. Kishim profesorë shumë të mirë si Adem Mezini, si Nathanailin, etj., të cilët ishin mendjehapur. Pra isha i qartë apo i përgatitur për një alternativë tjetër, pavarësisht se nuk kisha një përkushtim personal për t’u marrë me politikë, me angazhim në një parti, aq më tepër me Partinë Socialiste.

Gazetar: Në kuptimin e drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste që takuat, cili ishte? Se nuk besoj se ishte Ulqini.

Presidenti Meta: Unë mendoj Ulqini ka qenë, se ideja nuk ishte për t’u angazhuar me PS-në. Ideja ishte…

Pyetje: Me kë kontaktuat, kur Ju thirrën për deputet. Ka qenë vetëm pak muaj më pas?

Presidenti Meta: Në 15 janar, bëhet takimi Kombëtar i Rinisë Eurosocialiste ku natyrisht unë u dallova, sepse mbajta një peshë në drejtimin e atij takimi.

Më pas më kërkuar për të ikur në Skrapar me Maqo Lakrorin, Ndre Legisin dhe disa të tjerë, për të organizuar FRESSH-in atje. Situata në Skrapar ishte shumë interesante.                            

Pyetje: Më pozitive për partinë?

Presidenti Meta: Ishte shumë interesante. Për arsye sepse dajat e mi,  ishin ndër eksponentët kryesor të Partisë Demokratike.

Pyetje: Dajat ishin ndër eksponentët e Partisë Demokratike?

Presidenti Meta: Po, kishin krijuar PD-në, bashkë me Mustafa Nanon dhe me disa persona të tjerë në atë kohë. Skrapari ishte i ndarë nuk ishte aq socialist, por padyshim që kishte një dominim të së majtës.

Po, prapë kishte një ekuilibër dhe mbi të gjitha kishte tolerancë, nuk kishte agresivitet dhe frymë përjashtuese.

Socialistët u kënaqën shumë që vajta unë, sepse kjo ishte dhe një mënyrë për t’iu kundërvënë edhe Partisë Demokratike.

Pyetje: Që drejtohej po nga daja?

Presidenti Meta: Po, që edhe ata kishin ndikimin e tyre dhe ky nuk ishte interesi im. Më pas drejtuesit e PS-së insistuan të bëhesha deputet në Skrapar. Arsyeja ishte se, nuk pranonte njeri të ishte deputet në Skrapar.

Pyetje: Ju, nuk kishit mbushur 22 vjeç, apo jo i mbushët një javë përpara?

Presidenti Meta: Unë 23 vjeç, i kam bërë një ditë pasi isha zgjedhur deputet me 22 mars 1992. Ishte një situatë,  ku  nuk pranonte njeri të kandidonte për Partinë Socialiste, njerëzit ishin shumë të pakët. Unë u lumturova se pashë emrin e Xhevahir Spahiun dhe thashë,  tani do jetë Xhevahiri.

Ishin dy vende, një ishte menduar për Bashkim Cakën,  i cili normalisht pritej të pranonte, se ishin dy mandate mazhoritar.

Pyetje: Ju u shprehët për Xhevahir Spahiun?

Presidenti Meta:  Unë, u shpreha për Xhevahir Spahiun sepse ishte një figurë shumë pozitive, dhe Xhevahiri nuk pranonte, sepse mendonte që ishte koha e më të rinjve.

Ata më  thanë nëse pranon Xhevahiri dakord, nëse nuk pranon do vendosesh Ti.

Unë mendova që do ta bindja Xhevahirin, por nuk arrita ta bindja dot.

Pyetje: Kështu që u zgjodhët ju deputet..

Presidenti Meta: Po, u zgjodha deputet vetë. Por, më bën një “hile” sepse më vunë në një zonë tjetër, që ishte zona e Tomorricës dhe unë, nuk kisha qenë asnjëherë atje në jetën time, sepse unë isha nga zona tjetër, që është Çorovoda,  kufi me Përmetin.

Unë në Tomorricë,  nuk kisha qenë asnjëherë, por atje emri i gjyshit tim ishte shumë i madh në Tomorricë.

Pyetje: Dhe u zgjodhët deputet në moshën 23 vjeçare, fal dhe emrit të gjyshit në këtë zonë?

Presidenti Meta: Mendoj që emri gjyshit ishte vendimtar në atë zonë. Ishte zonë e vështirë, e  thellë,  dhe gjyshi kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme. Askush atje,  nuk më njihte në planin personal. 

Meta: Si e mbrojta Gramoz Pashkon kur isha student në vitin 1990

Presidenti Ilir Meta në një rrëfim të rrallë në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë Blendi Fevziut ka treguar detaje nga lëvizja e Dhjetorit të vitit 1990.

Meta ka treguar se në ditët e para të demokracisë ka mbrojtur Gramoz Pashkon lidhur me intervistën që ai kishte dhënë për “Zërin e Amerikës” dhe kishte bërë kritika të forta për regjimin.

Blendi Fevziu: Pati kontenstim ndaj regjimit komunist.

Presidenti Ilir Meta: Po, patjetër. Krijoi një përshtypje të fortë dhe disa…

Blendi Fevziu: Si e mbrojtët ju Gramoz Pashkon? Ju ishit student, ndërsa Gramoz Pashkoja profesor. Në çfarë konteksti?

Presidenti Ilir Meta: Po, unë isha student dhe një nga sekretarët e Komitetit Qendror në atë kohë dhe disa eksponentë të tjerë të Komitetit Qendror erdhën dhe bënë një takim, si rastësisht në Fakultetin e Ekonomisë, ku kuptohet se të gjitha insinuatat apo shigjetat ishin kundër profesor Pashkos për arsye se ai kishte dhënë një intervistë te “Zëri i Amerikës” dhe kishte bërë kritika mjaft të forta.

Blendi Fevziu: Ju e njihnit personalisht apo vetëm si Sekretar Rinie?

Presidenti Ilir Meta: E njihja si pedagog, por ai nuk më kishte dhënë mua mësim deri në atë kohë.

Ishte një figurë simpatike për studentët në përgjithësi, sepse ishte një pedagog interesant, ishte liberal dhe erudit. Por më e rëndësishme ishte ajo që ne kishim dëgjuar prej tij, kritikat për vetë sistemin, për papunësinë dhe probleme të tjera.

Blendi Fevziu: Ishte edhe Pashkoja i pranishëm gjatë mbrojtjes suaj?

Presidenti Ilir Meta: Po, ishte edhe Pashkoja i pranishëm. I pari që u përpoq t’i mbronte idetë e tij ishte profesor Ylli Vejsiu. Mbajti një reagim shumë të ashpër për të frenuar këtë sulm ndaj Pashkos.

Pastaj bëra një ndërhyrje aty paksa si spektakolare që i vuri në një situatë shumë të vështirë, se kishte ndodhur ngjarja e ambasadave dhe unë u them: “Nuk duhet të hezitojmë për të pranuar problemin e papunësisë, sepse ky është një problem real. Ata që ikën, ne i njohim, ishin të papunë. 80% e tyre nuk mund të jetojnë normalisht me 3 mijë apo 4 mijë lekë në muaj. Prandaj i them unëzotërisë që ishte sekretar i Komitetit Qendror…

Blendi Fevziu: Për të përditësuar një njeri sot: 3 apo 4 mijë lekë ishin 3 ose 4 dollarë në muaj.

Presidenti Ilir Meta: Po, ishin pak fare, prandaj unëme ironi ju them: “Këtë problem, pra papunësinë, mund ta zgjidhë Partia. Si mund ta zgjidhë Partia? Partia mund të bëjë një marrëveshje me shtetet e tjera, në mënyrë që këta të papunë, të mund të shkojnë andej dhe nuk kanë përse të hyjnë në ambasada.

Blendi Fevziu: Me siguri kjo ishte një herezi jo e vogël?

Presidenti Ilir Meta: Aty u krijua një situatë shumë e vështirë, sepse të thoje që ta zgjidhë Partia do të thonte për ta që ti ende kishe besim. Që Partia ta zgjidhte në atë mënyrë do të ishte e pamundur, por problemi ishte ky dhe duhet zgjidhur.

Blendi Fevziu: Po vetë Pashkoja, çfarë reagimi pati?

Presidenti Meta: Ai ka qenë në një pozicion paksa të vështirë, por asnjëherë nuk u tërhoq nga pozicioni i tij. Kini parasysh ato ishin testime. Ishin momente për të parë se si ishte raporti i forcave. Deri ku kishte qëndresë.

Ilir Meta rrëfen raportin me Berishën, që nga njohja, tek bashkëpunimi dhe ndarja në 2013-ën

Presidenti Ilir Meta ka treguar sot të gjithë raportin e tij me ish-Kryeministrin Sali Berisha. Në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta ka treguar njohjen me Berishën, bashkëpunimin me të në vitin 2009-2013, ndarjen dhe konsideratën që ka tani për të.

Blendi Fevziu: Në këtë kohë a ka pasur një marrëdhënie midis Jush dhe Presidentit Berisha në vitet 1995, 1996 po themi?

Presidenti Ilir Meta: Nuk kemi pasur asnjë lloje marrëdhënie, veçanërisht në këtë periudhë që po flasim, për vitet 1992 deri në vitin 1994 apo në 1995.

Por, Berisha gjithmonë përpiqej të bënte një diversion midis të rinjve dhe midis të vjetërve, midis marksistëve dhe anti-marksistëve.

Blendi Fevziu: Kur e keni takuar Berishën për herë të parë?

Presidenti Ilir Meta: Berishën për herë të parë, mbaj mend e kam takuar këtu. Kur ka qenë President.

Kemi qenë me Majkon, a nuk e di me kë kemi qenë tjetër, se vinte një delegacion nga Danimarka, nga Social-Demokratët Danez, me idenë që ai,  t’i takonte.

Ata donin  të takoheshin edhe me të, ky besojë që është takimi i veçantë.

Blendi Fevziu: Po takimi  më i gjatë dhe diskutimi më i plotë që keni bërë me Berishën,  e kujtoni kur ka qenë?

Presidenti Ilir Meta: Tani, mbas kësaj ka plotë bisedime. Po në atë periudhë kam pasur shumë pak kontakte.

Blendi Fevziu: Çfarë raportesh keni pasur me të? Edhe me të keni pasur raporte kontradiktore, keni qenë kundërshtar të fortë, keni qenë në bashkëqeverisje. Çfarë raporti keni pasur me Berishën gjatë këtyre 25 viteve?

Presidenti Ilir Meta: Ajo që mund t’iu them për zotin Berisha, është që me Berishën, ke kënaqësi të bashkëpunosh, ke dhe kënaqësi të luftosh.

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë ke kënaqësi të luftosh?

Presidenti Ilir Meta: Sepse ka kënaqësi njeriu, e bën diçka me kënaqësi.

Blendi Fevziu: Dhe, tashmë që edhe Berisha është aktiv, po nuk është më po themi protagonist kryesor në politik,  si do ta përkufizonit Ju,  karrierën dhe rolin e tij në këto 30 vite?

Presidenti Ilir Meta: Roli i tij sigurisht që është një rol historik, me merita historike.

Natyrisht, që ka edhe përgjegjësi historike për sa i takon viteve 1996 dhe 1997. Mund ta kishte menaxhuar më mirë.

Blendi Fevziu: Berisha President dhe Berisha kryeministër?

Presidenti Ilir Meta: Është shumë më reflektues, shumë më i hapur dhe bashkëpunues.

Blendi Fevziu: Cila është karakteristikamë e mirë në bashkëpunim me Berishën? Duke qenë se Ju, keni bashkëqeverisur me të..

Presidenti Ilir Meta: Me Berishën nëse sqaron diçka, nuk ka nevojë për të firmosur sepse i qëndron fjalës.

Blendi Fevziu: I qëndron marrëveshjes?

Presidenti Ilir Meta: Po.

Blendi Fevziu: Në vitin 2009, kur Ju, hytë në qeveri më të, e patët të vështirë të merrnit këtë vendim?

Presidenti Ilir Meta: Jo,  sepse nuk kishim rrugë tjetër, kishim bërë çdo përpjekje për një koalicion më Partinë Socialiste. Partia Socialiste, kishte bërë çdo përpjekje për të zhdukur një forcë politike si LSI-ja. Mos të harrojmë se, në vitin 2007, LSI, ishte forcë përcaktues që Rama, të zgjidhej kryetar Bashkie.

Blendi Fevziu: Po gjatë katër viteve të qeverisjes me të, keni pasur probleme të mëdha?

Presidenti Ilir Meta: Nuk është se nuk kemi pasur dallime të ndryshme. Por, besoj se gjithmonë ka pasur mirëkuptim për pozicionin apo bindjen e gjithsecilit.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, përse u larguat nga Berisha, në prilli të vitit 2013?

Presidenti Ilir Meta: Kishim një marrëveshje, të cilën  ne, e kishim respektuar. U vlerësua që të bënim një marrëveshje tjetër. Mos të harrojmë, se sjellja ka qenë shumë luajale, në kuptimin që kjo marrëdhënie përfundon. Falenderim për bashkëpunimin, do të bëhet një zgjedhje tjetër. Por, votat tona nuk do të përdoren  kundër kësaj qeverie, kjo qeveri ka të drejtën e vet deri në zgjedhje. Së dyti, marrëveshja me Ramën dhe me Partinë Socialiste, në radhë të parë synonte zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Kushti i parë, ishte të zhbllokoheshin tre ligjet që Rama, i kishte bllokuar prej 1 vit e gjysmë, para se të zhvilloheshin zgjedhjet. Pra, me parlamentin e asaj periudhe. Sepse shqetësimi ishte nëse një mazhorancë nuk do të merrte 84 vota, të njëjtin bllokim mund ta bënte Partia Demokratike në opozitë.

Blendi Fevziu: Pra, Ju thoni që sërish, keni bërë marrëveshje për integrimin evropian?

Presidenti Ilir Meta: Po, është e shkruar, marrëveshja e Shkodrës, merreni dhe lexojeni dhe 3 ligjet Partia Socialiste  i ka votuar në maj.

Blendi Fevziu: Sot, çfarë raporti keni me zotin Berisha?

Presidenti Ilir Meta: Shumë korrekt, shumë të respektueshëm.

Blendi Fevziu: A ka një marrëveshje ose një konspiracion mes jush?

Presidenti Ilir Meta: Jo, absolutisht.

A do të ketë sërish bashkëpunim mes Metës dhe Ramës? Përgjigjet Presidenti

Presidenti Ilir Meta në një rrëfim të rrallë në emisionin “Opinion” në Tv Klan  përballë Blendi Fevziut ka folur për raportin me Kryeministrin Edi Rama.

Kreu i shtetit ka treguar nëse do të bashkëpunonte sërish me Edi Ramën në një kohë të dytë, pasi tani situata mes tyre është shumë e tensionuar.

Blendi Fevziu: A mund të ketë prapë një bashkëpunim mes jush?

Presidenti Ilir Meta: Mendoj që ka patur shumë arsye, në rast se do të vendosnim raportet personale si prioritare për të mos bashkëpunuar asnjëherë me zotin Rama prej gati 10 vitesh. Por, unë jam në politikë për të parë disa interesa shumë më të mëdha, të cilat për fat të keq zoti Rama nuk i shikon dhe nuk ndjen asnjë përgjegjësi për to, të cilat kanë të bëjnë me vendin dhe kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët shqiptarë.

Blendi Fevziu: Është Kryeministër në dy manddante dhe falë ndihmës suaj.

Presidenti Ilir Meta: Kjo nuk është një arsye për të mos e bërë përgjegjës për mosmbajtjen e gjithë atyre angazhimeve për të cilat ka marr edhe këto mandate, sidomos mandatin e parë në platformën e koalicionit për Shqipërinë europiane.

Sa është pasuria e Ilir Metës? Presidenti: Absurde që më bëhet kjo pyetje

Në një intevistë ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, Presidenti Ilir Meta është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se sa është pasuria e tij.

Meta e ka konsideruar absurde pyetjen nëse ka përfituar ekonomikisht nga postet që ka mbajtur, teksa ka shtuar se vendimet e tij në funksionet publike që ka patur janë transparente dhe të verifikueshme.

Pyetje: Çfarë raporti keni me paratë?

Presidenti Meta: Është një raport tepër i largët, për arsye sepse unë asnjëherë në shtëpi nuk kam bërë pazare dhe nuk para merrem me menaxhimin.

Pyetje: Nuk flas për lekët e xhepit, po flas për pasurinë në përgjithësi.

Presidenti Meta: Në përgjithësi dhe tërësi,  unë  jam një njeri që ky mund të jetë interesi i fundit,  për atë detyrim që njeriu ka ndaj familjes.

Pyetje: A keni përfituar po e quaj ekonomikisht dhe financiarisht nga postet që keni pasur?

Presidenti Meta: Është pyetja më absurde që mund të bëhet në rastin tim. Për arsye se,  të gjitha aktet dhe vendimet e mia kanë qenë publike, lehtësisht të kontrollueshme dhe verifikueshme.

Pyetje: Padyshim komente ka sa të duash.

Presidenti Meta: Nuk shqetësohem fare për komentet. 

/tvklan.al