Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me anëtarë të Partisë Socialiste pas Kongresit të 3-të të saj.

Bashkim Fino, deputet i PS:- “E rëndësishme është që ne arritëm në konkluzionin që të mos merrnim në konsideratë disa mendime që dhanë delegatët për të bërë një votim tjetër të ri të këtyre 36 anëtarëve që janë tashmë anëtarë të KPD. Dhe kjo është një lloj shkalle e lartë e përgjegjësisë dhe unitetit që paraqet dhe kryetari i partisë Nano dhe gjithë delegatët në përgjithësi për këtë çështje”.

Gazetari:- “Ju mendoj jeni një nga figurat kryesore të PS, duhet votbësuar nesër kabineti Majko?

Bashkim Fino, deputet i PS:- “Ajo është çështje morale e vetë Majkos i cili normalisht duhet para KPD organit më të lartë midis kongreseve të paraqesë emrin e vet në qoftë se don të rrijë më Kryeministër i Qeverisë së Aleancës për Shtetin nga PS, ashtu siç ai mori mandatin nga KPD me 3 kandidatura në mos gaboj kur u zgjodh Kryeministër, normalisht, moralisht i takon atij ta thotë fjalën e vetë”.

Petro Koci, deputet i PS:- “Unë mendoj që Kryeministri Majko si ai dhe gjithë politikanët  e tjerë duhet të zbatojnë rregullat e lojës dhe në këtë rast duhet të respektojnë vendimin e Kongresit që për mua ishte një vendim shumë i qartë”.

Gazetari:- Shpresoni që ata 36 veta do të jenë prezent nesër në mbledhjen e KPD?

Luan Rama, deputet i PS:- “Padyshim që duhet të jenë prezent sepse ata i ka zgjedhur vota e delegatëve të Kongresit për t’i përfaqësuar në këtë forum. Dhe mbi ndonjë emocion apo inat të çastit mendoj unë duhet të dominojë logjika dhe respekti për votën që kanë marrë”.

Anëtari i PS:- “Ky ishte një votim shumë i drejtë, shumë legjitim, të cilin unë e kam përjetuar dhe në Këshillin e Europës. Kur ka një konsensus të përgjithshëm të sallës atëherë votimi i fshehtë behet fiktiv”.

Anëtari i PS:- “Ne votojmë për PS këtu dhe jo për emra të veçantë. Edhe ata janë pjesë e PS”.

Anëtari i PS:- “U krijua një precedent në thirrjen e Kongresit kjo është e padiskutueshme, por nuk kishte mënyrë tjetër për të kaluar në hapjen e rrugës lidhur me vazhdimin e mëtejshëm të ngritjes së institucionit siç është KPD-ja”./tvklan.al