Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, së bashku me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me Komisionerin, Johannes Hahn, ku u fol për zhvillimet politike në Kosovë dhe rrugën europiane të vendit.

Siç raporton

Klan Kosova,

në takim, por edhe në tryezën e liderëve politikë, të ftuar nga Komisioneri Hahn, Krasniqi ka mbrojtur qëndrimin e Nisma për Kosovën, se çështja e demarkacionit duhet të ndahet nga procesi i liberalizimit të vizave.

Gjatë takimit u diskutua edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin Krasniqi u shpreh se duhet të ndryshojë në formë dhe përmbajtje.

Sa i përket krizës politike dhe deklaratës së Presidentit Hashim Thaçi, për pastrimin e institucioneve, ish – Kryeparlamentari i Kosovës u shpreh se pastrimi më i mirë i parlamentit është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Sa i përket korrupsionit në vend, Krasniqi theksoi se ai nuk mund të luftohet nga ata që e kanë shkaktuar.

Edhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka theksuar se në takimin e tij më Komisionerin Johannes Hahn ka shprehur mospajtimin e tij me kushtëzimet që u bëhen qytetarëve të Kosovës me Marrëveshjen për Demarkacion./tvklan.al