Opozita pranon zgjedhje me Ramën

Opozita pranon zgjedhje me Ramën

15:20 16/07/2019

Opozita lë të hapur mundësinë të hyjë në zgjedhje në vjeshtë në datën që ka dekretuar Presidenti Meta.  Pas një takim 40 minutësh në zyrën e kreut të shtetit, mëngjesin e kësaj të marte, Lulzim Basha tha se vlerëson maksimalisht qëndrimin e presidentit për zgjedhje të trefishta në 13 Tetor.

Detajet e bisedës që pati kokë më kokë me Presidentin Meta, kryedemokrati i ndau edhe me aleatët, ndërsa në prononcimin për mediat, Basha nuk përmendi kushtet e panegociueshme që kishin të bënin me krijimin e një qeverie tranzitore, e aq më tepër atë për largimin e Edi Ramës.

“Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit, siç e deklaroi dhe OSBE/ODIHR-i, duhet të jenë për njerëzit, dhe jo për ymerlalët dhe shokun e tyre, “Bablokun” e madh dhe oligarkët. Në këtë funksion, opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pa edhe me 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe,  për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve”.

Ky qëndrim i ri do të reflektohet edhe në aksionin politik të opozitës, ku stina e protestave duket se është lënë pas.

“Sot, në takimin me opozitën e bashkuar, kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe që do t’u ofrojmë shqiptarëve. Bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë, me fitoren e Opozitës së Bashkuar, e cila tashmë, jo vetëm thjesht përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit, është konfirmuar si maxhoranca e re politike”.

Muajt e verës, Partia Demokratike do t’i shfrytëzojë për fushatë dhe prezantim të programit të saj politik dhe ekonomik, ku prej disa ditësh Lulzim Basha ka nisur turin e takimeve me qytetarët dhe strukturat e partisë në rrethe.

Tv Klan




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi