Rita Ora i ka kushtuar një postim në Instagram ikonës Jennifer Lopez ku ka  ndarë një video të të dyjave duke kënduar të shoqëruara nga një piano. Sipas përshkrimit të Ritës, videoja është postuar pasi ajo ka parë dokumentarin “Halftime” të artistes, i cili e ka frymëzuar po aq sa ajo.

“Sapo pashë dokumentarin tënd: “Halftime” në Netflix dhe vazhdoj të frymëzohem nga puna jote, rezistenca dhe bujaria e pafundme. Na ke mësuar të gjitha vajzave të mos kemi limite. Na ke treguar që ne mund t’i bëjmë të gjitha dhe për këtë do të jem mirënjohëse përjetë. Në momente dyshimi,  të kam parë ty dhe arritjet e tua si udhërrëfyese ose nëse më duhet një shtysë tjetër për ditën. Më kujton përherë përse e dua kaq shumë këtë punë. Nëse nuk e keni parë ende dokumentarin e JLo, bëjeni tani. Frymëzohuni”.

Më tej, Rita ka shpjeguar edhe lidhjen midis dy vajzave, si dhe momentin kur është filmuar kjo video.

“JLo dhe unë jemi lidhur gjithnjë nga të qenurit gra që punojnë fort me karrierë shumëdimensionale. Kjo video ishte e paplanifikuar dhe pa prova. Një këndim spontan dhe i këndshëm pranë pianos dhe një nga shumë arsyet pse do ta dua gjithmonë JLo!”.

Dokumentari “Halftime” ndodhet tashmë në vendin e dytë të “Më të shikuarave” në Netflix ndërsa audienca dhe kritikët e kanë vlerësuar maksimalisht./tvklan.al