Skandali i Tires sa vjen e thellohet. Rasti i denoncuar në Stop, ku sanitarja Tire Allëdervishi i merrte para vajzës së një pacienteje, duke e mashtruar se po e ndihmonte për kurimin e nënës së saj që ndodhej e shtruar në spitalin Shefqet Ndroqi, çoi këtë të hënë në arrestimin e 4 personave të tjerë. Bisedat që dolën nga telefoni i sanitares, zbuluan se ajo kishte bashkëpunuar me 3 infermierë dhe një sanitare tjetër.

Por ky nuk është rasti i vetëm dhe këtë e pohon edhe në emisionin “Opinion”, drejtuesi i “Stop”, Saimir Kodra. Ashtu siç edhe e ka përsëritur disa herë në emisionin investigativ, Kodra thotë se ka raste të tjera, të cilat pritet që t’i bëjë publike një moment që merr konfirmimin e familjarëve. Kodra zbulon gjithashtu se ka mesazhe e video të pacientëve të cilët nuk jetojnë më, që flasin e ulërasin për shtretërit e tyre në spital.

“Kam akoma raste të tjera po pres të marr konfimimin e familjarëve, që të më japin miratimin për t’i bërë publike. Kam raste të tjera.”

“Janë të konfirmuara, kam mesazhet, kam videot e të ndjerëve që kanë folur dhe kanë ulëritur nëpër krevatë, por thjeshtë dua të marr miratimin e familjarëve. Kam një rast shumë specifik, që pasi mi dha të gjitha materialet, ka një moment stepie, do të bëjë dhe një reflektim tjetër. Por që e kam…”

“Plus që kam edhe një denoncim tjetër që nuk është përmendur. Është edhe denoncimi i një zonje nga Italia që tregon edhe ajo qartë e pastër me fakte dhe argumente dhe e ka bërë deklaratën publike që jam e gatshme të vij të paraqitem para organeve kompetente”./tvklan.al