Dritan Leli refuzon dorëheqjen. Rama sulmon opozitën

Pak orë përpara zyrtarizimit të listave të kandidatëve, Kryeministri Edi Rama bëri publik një tjetër largim nga radhët e grupit të tij parlamentar. Eglantina Gjermeni, deputete prej 3 mandatesh dhe Ministre e Turizmit për 4 vite, tha se kishte vendosur vullnetarisht mos të ishte më pjesë e politikës aktive.

Deklaratat u bënë në një ceremoni me rastin e 8 Marsit, pjesë e së cilës ishin edhe 2 prurjet më të reja në Partinë Socialiste, inxhinierja Luljeta Bozo dhe mjekja Najada Çomo.

Në listat e socialistëve, Rama ftoi edhe dy kryetarë bashkish, Dritan Lelin e Vlorës dhe Dionis Imerin e Dibrës. Mësohet se Leli e ka refuzuar ftesën e Kryeministrit, ndërsa Imeri e ka pranuar atë, por ende nuk e ka zyrtarizuar dorëheqjen.

Nga ajo që dihet me siguri është se pjesë e listës së socialistëve do të jenë edhe emrat e 10 të rinjve të përzgjedhur përmes platformës “Deputeti që duam”. Një vend të sigurt, pritet të kenë edhe 12 drejtuesit politikë të qarqeve, por që mund të mos jenë në krye te listave.

Përveç Vasilika Hysit, listës së kandidatëve për deputetë do t’i mungojë edhe Besnik Bare apo edhe Sadi Vorpsi.

Pjesë e listave të kandidateve për deputet Edi Rama ka vendosur të bëjë dhe 3 përfaqësues të komunitetit të emigrantëve, të cilët i prezantoi teksa shpalosi planin për kthim të emigrantëve në atdhe.

Në këtë aktivitet, kreu i mazhorancës nuk la pa shigjetuar edhe koalicionin e opozitës që etiketoi si “kap ça të kapësh”.

Ashtu siç është bërë tashmë traditë, edhe këtë herë, Partia Socialiste zgjodhi që listat t’i zyrtarizojë në momentin e fundit.

Tv Klan