Ekspertët: Nëse zgjat, koronavirus jep efekt në ekonomi

Italia renditet vendi i katërt pas Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë sa i përket hyrjes së shtetasve të huaj në Shqipëri.

Në Janar të këtij viti numërohen të jenë 21 mijë qytetarë italianë që kanë ardhur në vendin tonë, ku për një pjesë të madhe të tyre qëllimi i vizitës është turizimi.

Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, thotë se fillimi i periudhës së pranverës nis edhe me paketat që ofrojnë operatorët turistikë në vendin tonë për të pritur turistë të huaj.

Ai shpjegon se për momentin nuk ka anulime të rezervimeve nga ana e turistëve italianë, por shihet një rënie e prenotimeve pas përhapajes së koronavirusit në shtetin fqinj.

Ekspertët e ekonomisë thonë se Italia është partneri i parë tregtar për Shqipërinë. Shkëmbimet e mallrave në 2019-ën arritën në 2.5 miliardë Euro dhe çdo tkurrje e prodhimit kombëtar aty, mund të ndikojë në ekonominë tonë.

Bizneset që po ndiejnë më shumë për momentin, efektet e koronavirus janë operatorët që shesin paketa nga Shqipëria drejt Italisë. Shoqata e Hoteleri – Turizmit thotë se ka patur anulime të biletave drejt Italisë apo edhe të udhëtimeve turistike, sidomos ato me qëllim ndjekjen e ndeshjeve të futbollit.

Vetë Banka e Shqipërisë është shprehur se do të rishikojë me ulje projeksionet në rritjen ekonomike të cilat mund të ndikohen nga partnerët tregtarë, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ky virus do të prekë fuqinë tregtare të Kinës, por ende nuk ka dhënë parashikime se sa do të jetë efekti në ekonominë globale.

Nga 19 Shkurti, indeksi i bursës së Milanos ka rënë deri tani me 9.4%.

Tv Klan