Paketa anti-shpifje, reagon Basha: Të mobilizohemi për të penguar këtë atentat

Paketa anti-shpifje, reagon Basha: Të mobilizohemi për të penguar këtë atentat

18:28 16/12/2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një video-mesazh të lënë në Facebook, ka reaguar për paktën anti-shpifje të hartuar nga qeveria,  e cila pritet që t’i kalojë parlamentit ditën e enjte për miratim.

Sipas Bashës, në vend që qeveria të merrej me ndihmën ndaj të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit dhe me vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të saj përgjegjës, është duke e përdorur politikisht këtë katastrofë për të bërë shoë mediatik populist dhe për të fshehur një tërmet që po i shkakton themeleve të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.

Basha shprehet se kjo paketë ligjore synon të kthejë censurën në Shqipëri. Dy projektligjet e propozuara mund të konsiderohen vetëm paketë “Anti-Fjalës së Lirë” sepse i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gjyqësore, i shndërrojnë këto dy institucione në censorë me forcë kërcënuese e sanksionuese kundër mediave të lira, thotë kreu i selisë blu.

Më tej ai thekson se ky veprim nuk është rastësi, por hapi i radhës i kësaj qeverie që po degradon në autoritarizëm, për të fshehur dështimet, korrupsionin dhe kriminalizimin e saj, nëpërmjet censurës.

Basha duke i dalë në mbështetje organizatat e mediave që janë angazhuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, i ka bërë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga paketa ligjore despotike që ka përgatitur, ndërsa bën thirrje qytetarëve për ta penguar këtë paketë që ai e ka quajtur si “atentat kundër lirisë së fjalës në vendin tonë”.

 “I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të tjera mike demokratike, që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes.

Po ashtu kërkoj ndihmën e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të kërkojnë prej qeverisë shqiptare t’ju përmbahet angazhimeve të ndërmarra për lirinë e shprehjes në kuadër të konventave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë.

Por ajo që është më e rëndësishmja, ju ftoj ju të dashur bashkëytetarë pa dallim, që pa lënë anash solidaritetin tonë ndaj viktimave të fatkeqësisë natyrore dhe njerëzore të tërmeteve, të mobilizohemi për të penguar me të gjitha forcat këtë atentat kundër lirisë së fjalës në vendin tonë. Kjo qeveri nuk do mund të na e mbyllë gojën!”, shprehet Basha. /tvklan.al



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi