Presidenti panamez, Huan Karlos Varela u zotua se reputacioni e vendit të tij nuk do të përlyhet nga mega – skandali financiar “Panama Papers”.

Ai njoftoi krijimin e një ekipi me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, për të bërë sa më transparent sistemin offshore në Panama.

Varela tha se ky ekip do të punojë për të hedhur dritë mbi praktikat e industrisë financiare në vend dhe forcimin e sistemit ligjor.

Reagimi i Presidentit panamez vjen pak ditë pas publikimit të 11.5 milionë dokumentave të zyrës ligjore Mosak Fonseka, ku u përfshinë krerë shtetesh e njerëz të famshëm, të cilët u akuzuan se kanë pastruar para dhe u janë shmangur taksave.

Presidenti rus Vladimir Putin, njëri prej personave kryesorë të përmendur në skandalin “Panama Papers”, reagoi për herë të parë për ngjarjen.

Ai i mohoi akuzat dhe tha se kjo është një vepër e Perëndimit për të destabilizuar Rusinë. Më herët, Kremlini e kishte etiketuar afrimin e Presidentit rus me skandalin si “Putinofobi”.

Pas dorëheqjes së Kryeministrit Gunlaugson, i përfshirë në këtë aferë, Islanda njoftoi emërimin e kreut të ri të qeverisë.

Ai është Sigurdur Johanson.

Fill pas shpërthimit të skandalit, mijëra qytetarë dolën në shesh ku kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit të vjetër.

Tv Klan