Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, kyçe për negociatat

Zhvillimet në Shqipëri kanë qenë pjesë e një séance debati në komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Nga shembja e Teatrit, Reforma në drejtësi, reforma zgjedhore lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve ishin në fokus të eurodeputetëve.

Kreu i komisionit të jashtë, David Mc Allister veçoi marrëveshjen për reformën zgjedhore të cilën e konsideroi një kusht kyç për çeljen e negociatave. Ai përmendi si hapa të tjerë funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Për shembjen e Teatrit Kombëtar, Mc Allister tha se pati shqetësim në Bruksel për metodën e përdorur dhe që nuk iu dha një tjetër shans dialogut mes palëve. Mc Allister përsëriti thirrjen që palët politike të punojnë bashkë dhe të lënë pas metodat e bojkotit.

Ndërsa raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos u ndal te pandemia e cila sipas saj pengoi avancimin e disa reformave dhe ngadalësoi ritmin që kishin para saj. Ajo tha se po behët progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe goditjen e aseteve të grupeve kriminale dhe pastrimit të parave.

Raportuesi tjetër David Lega nga PPE tha se Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushtet që të nisë negociatat.

Diskutimin e mbylli kryetarja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera sipas së cilës palët politike duhet të vijojnë më tej me dialogun për reformën zgjedhore. Ajo tha se për çështjen e Reformës në drejtësi ka pasur hapa përpara, por theksoi se kushtet dhe afatet e vëna duhet të respektohen.

Tv Klan