“7 miliardë Lekë më shumë në buxhet për Covid-19”

Kuvendi vendosi të falë të gjitha gjobat e vendosura si pasojë e shkeljes së rregullave të vendosura gjatë pandemisë.

Me shumicë votash u kalua edhe akti-normativ për shtyrjen e qerasë me dy muaj.

Rrugë iu hap edhe ndryshimeve në buxhetin e vitit 2020, që lidhen me paketën e dytë financiare dhe shtimin e 7 miliardë Lekëve për përballimin e situatës së Covid-19.

Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, përgjegjës për koordinimin gjate pandemisë, ripërsëriti qëndrimin se qeveria nuk ka ndërmend të ulë pagat e pensionet sqaroi se nga paga e luftës me të dyja paketat kanë përfituar 133 mijë qytetarë.

“Sot janë paguar 59 mijë qytetarë nga pagesa e parë dhe 74 mijë nga pagesa e dytë. Të gjithë vendet e rajonit kanë përdorur të njëjtën formulë, jemi vendi i dytë në rajon. Pensionistët, jo vetëm që s’kemi ndërmend t’i prekim por ne sa i rritëm me 21 milionë Dollarë”, tha ministri Arben Ahmetaj.

Pagat prej 40 mijë Lekësh i kanë marrë edhe 790 punonjës të rafinerisë së Ballshit.

Ministrja e Infastrukturës bëri të ditur gjithashtu se ka nisur dorëzimi i ofertë-kërkesave për tenderin e pezulluar për shkak të pandemisë, atë për ndërtimin e parkut fotovoltanik në Karavasta.

Edhe këtë të enjte seanca plenare u zhvillua me masa të larta sigurie. Një ekip mjekësor pajisi me maska e dorashka deputetët që nuk i kishin dhe i mati temperaturën çdonjërit prej tyre para hyrjes në sallë, ndërsa brenda u respektua distancimi fizik.

Tv Klan