Në axhendë shkarkimi i Metës dhe dekretet e kthyera nga Presidenti

Pas një pushimi  45 ditor, deputetët e Kuvendit nisin pasditen e së hënës sesionin e ri parlamentar.

Plot 37 nisma, nga të cilat 11 dekrete të Presidentit për kthime ligjesh, projekt-vendime si dhe refoma zgjedhore presin votën e ligjvënësve për t’u miratuar në Kuvend.

Kreu i shtetit ktheu për rishqyrtim në Parlament në muajt Korrik e Gusht një sërë ligjesh të miratuara nga mazhoranca, mes të cilave atë për Kadastrën, Noterinë, Akademinë e Shkencave, si dhe një sërë projektesh për ndërtim e mirëmbajtje rrugësh.

Por kryefjalë e këtij sesioni do të vijojë të mbetet çështja e Presidentit Ilir Meta. Mazhoranca përmes një komisioni hetimor kërkoi shkarkimin e kreut të shtetit, pas dekretit që Presidenti nxorri për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Shumica parlamentare edhe pse iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias, i qëndron argumentit  se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën duke anuluar mbajtjen e vendoreve në 30 Qershor.

Duket se përplasja mes Presidentit e mazhorancës do të përshkallëzohet muajt në vijim,  teksa kreu i shtetit jo pak herë ka apeluar për respektim të dekretit të tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 Tetor.

Kësaj përplasje i shtohet edhe ajo e opozitës, e cila që prej muajt Shkurt ndodhet jashtë institucioneve, duke djegur mandatet e deputetëve e bojkotuar vendoret e mbajtura në 30 Qershor.

Lulzim Basha ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit opozitar dhe nisjen e protestave, duke mos u tërhequr nga kushtet e tij të panegociueshme, mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare në të njëjtën kohë dhe krijimin e një qeverie tranzitore pa Kryeministër Edi Ramën.

Tv Klan