Në 1 Korrik, qeveria nuk do të miratojë më asnjë ofertë të pakërkuar për të dhënë koncesione në infrastrukturën rrugore. Mazhoranca i hapi rrugë votimit të ligjit të ri, i cili përjashton shpërblimin me pikë bonus edhe për degë të tjera strategjike si portet, aeroportet dhe energjia ku ofertat e privatëve do të lejohen, duke sjellë konkurrencë dhe kursim të parave të buxhetit.

Megjithatë qeveria nuk ka rrëzuar konceptin e bashkëpunimit me privatin përmes formulave PPP. Zv/ministrja e Financave, Albana Shkurta tha se koncesionet Partneritet Publik-Privat do të vazhdojnë edhe pas 1 Korrikut, vetëm se projekti dhe nevoja do të evidentohet nga shteti dhe jo kompanitë.

Demokratët kërkuan që ligji të hyjë në fuqi që nga ky moment, çka shkaktoi edhe debate në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Deputeti demokrat Agron Shehaj propozoi që të mos pranohen më operatorë në këto kontrata të regjistruar në vende offshore, nisur nga skandali me kompaninë DH Albania.

Në mbledhjen e votimit të ligjit nen për nen, komisioni do të vendosë nëse do të miratojë këtë propozim, ndërsa Ministria e Financave do të sjellë edhe një tabelë, e cila do të tregojë financimin e kontratave të projekteve PPP, sa janë bërë me kapital të kompanive dhe sa përqind janë marrë prej tyre si kredi në bankë.

Tv Klan