Presidenti rus Vladimir Putin ka përshëndetur “kthimin” e Krimesë në Rusi në një koncert me rastin e 10 vjetorit të aneksimit të paligjshëm të territorit nga Ukraina.

Putin mbajti një fjalim para mijëra njerëzve në Sheshin e Kuq të Moskës një ditë pasi pretendoi një fitore dërrmuese në zgjedhje. Ai u shpreh se Krimea nuk është vetëm një territor me rëndësi strategjike, por mbi të gjitha është e pandarë me Rusinë dhe se kthimi i këtyre katër rajoneve të Ukrainës në Rusi kishte rezultuar të ishte “shumë më i rëndë dhe tragjik” se Krimea.

Mes të tjerash ai theksoi se një linjë hekurudhore nga Rostovi në qytetet e okupuara të Ukrainës, Donetsk, Mariupol dhe Berdyansk, ishte restauruar dhe tani do të shtrihej në qytetin port të Krimesë, Sevastopol.

“Përsa i përket Novorossiya dhe Donbass, njerëzit që jetojnë atje shprehën vullnetin e tyre për t’u kthyer edhe në familje. Rruga e tyre për në atdhe ishte shumë më e rëndë dhe tragjike. Por në fund ne e bëmë atë. Është një ngjarje e madhe në historinë e vendit tonë”.

Putin falenderoi turmën për mbështetjen e tyre në zgjedhjet presidenciale që i dha atij sërish një mandat të pestë me një fitore dërrmuese prej 87% votash  dhe iu bashkua në skenë nga tre kandidatët e opozitës që u lejuan të dilnin kundër tij. Ndërkaq Putin do të udhëtojë në Kinë në maj për bisedime me Xi Jinping, në atë që është udhëtimi i parë jashtë shtetit i shefit të Kremlinit në mandatin e tij të ri presidencial.

Kina dhe Rusia deklaruan një partneritet “pa kufij” në shkurt 2022 kur Putin vizitoi Pekinin vetëm disa ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë. Kina nga ana tjetër po shqyrton pjesëmarrjen në një konferencë paqeje që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë, që do të organizohet nga Zvicra në muajt e ardhshëm.

Klan News