Në Krujë, ende nën hetim 10 zyrtarë e ndërtues

Pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe dëme të mëdha materiale, prokuroria e Tiranës, Durrësit, Lezhës, Kurbinit dhe ajo e Krujës nisën hetimet, për të  gjetur përgjegjësit për dëmet e shkaktuara. 

Por kur ka kaluar një vit nga tragjedia, vetëm prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet, duke dorëzuar dosjen në gjykatë për  16 persona. Nga lëkundjet e tërmetit  humbën jetën edhe 24 persona në Thumanë, pas shembjes së dy pallateve që ishin dëmtuar më herët nga tërmeti i shtatorit.

Për këtë prokuroria e Krujës nisi hetimet kryesisht, pasi familjarët e viktimave pretendonin se pallatet ishin shpallur të pa banuar qysh nga tërmeti I shtatorit.  Por hetimet  vazhdojnë pasi prokurorët  janë në pritje  të aktit të ekspertimit ndërtimor për këto ndërtesa.

Mësohet se janë drejt fundit hetimet për 10 persona, që sipas prokurorëve, kanë marrë në dorëzim shkollën 9-vjeçare “Ramazan Jonguzi” në Thumanë që ishte rikonstruktuar  pas tërmetit të shtatorit, por që u dëmtua nga tërmeti i nëntorit.

 Nën hetim janë vënë, inxhinierë, kolaudatorë, si dhe punonjës të bashkisë Krujë me akuzën e  “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Hetimet nuk janë mbyllur ende  nga prokuroria e Lezhës dhe ajo e Kurbinit, ndërsa në këto qytete pati vetëm dëme materiale dhe pa pasoja në njerëz.

Tv Klan