PD: 160 mësues me Covid-19



PD: 160 mësues me Covid-19

15:47 26/09/2020

“Qeveria hesht, të merren masa urgjente”

Partia Demokratike ngre alarmin se 160 mësues rezultojnë të infektuar me Covid-19 në javën e dytë të vitit arsimor.

Ish-deputetja Albana Vokshi tha se pavarësisht situatës tejet shqetësuese, qeveria nuk ka marrë asnjë masë, duke fshehur rastet e arsimtarëve dhe të nxënësve të infektuar, për të mbuluar dështimin me hapjen e shkollave pa asnjë plan.

“Nga informacionet që disponojmë nga të gjitha shkollat e vendit, rreth 160 mësues dhe staf, si dhe mbi 100 nxënës janë të infektuar, por nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit”.

Vokshi kërkon nga qeveria marrjen e masave elementare me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve.

“Të bëhen testime masive serologjike e tamponim. Të mos lejojë zhvillimin e mësimit në ato shkolla, ku nuk përmbushet asnjë kusht higjieno-sanitar. Të sigurojë dezinfektim për ambientet shkollore dhe maska falas për çdo mësues, si dhe për nxënësit e familjeve në nevojë. Të kontraktojë mësues shtesë për të lehtësuar barrën e rëndë shkatërruese për mësuesit, si dhe të shpërblejë mësuesit për çdo orë shtesë”.

Sipas demokratëve, në rreth 90% të shkollave mungojnë kushtet më elementare, si uji i rrjedhshëm dhe sapuni dhe nuk respektohet protokolli i sigurisë së shëndetit.

Tv Klan




Të ngjashme