Tabaku: Përgjigje ndaj krizës, do ndikojë në uljen e çmimeve

Ndonëse kur ishin në qeveri refuzuan t’i pranonin socialistëve asokohe propozimin për uljen e TVSH-së për produktet e shportës, demokratët tashmë në opozitë kërkojnë  që të njëjtën gjë ta bëjë Kryeministri Rama.

Me argumentin se nisma të ngjashme kanë ndërmarrë shumë vende të BE-së, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku depozitoi propozimin e opozitës për uljen e TVSH-së nga 20 në 6%.

“Sot shumë vende të BE-së kanë ulur TVSH-në si një nxitje dhe një stimulim për ekonominë. Të ndihmojmë atë pjesë të popullsisë që sot ka reduktuar dhe ka ulur konsumin. Të ndihmojmë shtresat në nevojë, të ndihmojmë ata që e kanë jetesën të papërballueshme. Efekti financiar i saj është 17 miliard lek, që është asgjë në krahasim me favoret që ka pasur buxheti i shtetit vitet e fundit”, tha Tabaku.

Tabaku sqaron se kjo masë është përgjigje ndaj krizës së pandemisë, që sipas saj ka dëmtuar rëndë 95% të shqiptarëve. Ulja e TVSH-së thotë ajo do të ndikojë në uljen e çmimeve të shportës që janë rritur me 5%.

Tv Klan