Demokratët, pas më tepër se 4 muajsh, pritet t’i kthehen jetës normale në parlament. Tv Klan mëson se pas negociatave intensive të 2 javëve të fundit mes kryetarit të grupit parlamentar socialist Bledi Çuçit dhe homologut të tij demokrat Gazment Bardhit, pritet që opozita të heqë dorë nga strategjia bllokuese që në seancën e 21 Marsit.

Kompromisi, që me shumë gjasë, sipas burimeve të konfirmuara, do të finalizohet në fillimin e javës së ardhshme, është arritur pasi socialistët kanë pranuar një nga dy kërkesat e panegociueshme të demokratëve, atë për Komisionet Hetimore, ndonëse pjesërisht.

Shumica ka pranuar 2 prej 8 kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, por nuk bëhet e ditur se cilat prej tyre. Gjuha e kompromisit nuk është gjendur ende për kërkesën tjetër, atë të propozimeve të demokratëve për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë dhe bashkëkryetarin.

I pyetur të enjten në mbrëmje në studion e emisionit “Opinion”, Bardhi nuk i mohoi negociatat me mazhorancën.

“Kemi qenë dhe mbetemi të hapur për dialog politik me mazhorancën. A bisedojmë, apo jo, unë si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike me institucionet brenda Kuvendit e kam bërë nga dita e parë dhe vazhdoj ta bëj edhe sot. Nuk asnjë kulisë në këtë drejtim”, tha Bardhi.

Shenjat se shumica po shkon drejt njohjes se grupimit Berisha-Bardhi i dha edhe ministrja Spiropali në seancën e fundit parlamentare.

“Ejani në konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet siç kemi diskutuar vijimësisht për kërkesat tuaja. Ejani në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe sillni propozime përmbajtësore. Besoj jemi shumë afër që të gjejmë një zgjidhje për këtë absurdite”, tha Spiropali.

Zhvillimet e fundit vijnë pas zyrtarizimit të bashkimit të grupimit të Berishës dhe të Bardhit.

Tv Klan