Nëse ndryshon, preket marrëveshja e 5 Qershorit

Në pritje të riaktivizimit të Këshillit Politik, opozita akuzon Kryeministrin Rama se po e zvarrit procesin që dikton reflektimin sa më parë në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese. Përfaqësuesi i opozitës në këtë tryezë, Oerd Bylykbashi, për analogji sjell ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008.

“Nuk do të mbeten më shumë se 4 muaj dhe kjo është e paprecedentë që të ndryshohet sistemi zgjedhor dhe rregullat themelore në një kohë kaq të shkurtër. Hera e fundit kur ka ndodhur ka qenë viti 2008 dhe ka marrë 15 muaj”, thotë Bylykbashi.

Në tryezë, opozita do të ulet me kushtin e panegociueshëm, atë për respektimin e marrëveshjes së 5 Qershorit që sipas Bylykbashit dikton mosndryshim të formulës së shpërndarjes së mandateve.

“Kjo është një vijë e kuqe për sa na takon ne. Formula e shpërndarjes së mandateve është e përfshirë në atë që është dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit dhe është e pandryshueshme. Kjo mbrohet nga Komisioni i Venecias nga standardet e OSBE-së dhe nga marrëveshja e 5 qershorit”, shprehet ish-deputeti.

Sa për koalicionet paralektorale, i mandatuari i opozitës në Këshill thotë se ndryshimet kushtetuese nuk i pengojnë ato.

“Heqja nga Kushtetuta, nuk pengon në mënyrë absolute që koalicionet të qëndrojnë kështu siç janë sot”, shtoi ai.

Ajo që shqetëson më së shumti opozitën, kur na ndajnë afro tetë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, janë taktikat që sipas saj, po përdoren për të deformuar vullnetin e shqiptarëve në 25 Prill.

“Listat e zgjedhësve duket se po kthehen në standardet e 2003, zgjedhësit gjthmonë e më shumë po na raportojnë ne si opozitë se janë çuar në vendbanime krejt të ndryshme nga ajo ku po jetojnë. Nëpërmjet kufizimit të kohës Edi Rama po mundohet të vë në sfidë realizimin e identifikimit biometrik që do të bëjë të pamundur mbushjen e kutive nga çunat e fortë”, shprehet demokrati.

Bylykbashi sqaron se në këto zgjedhje njëherazi lind nevoja edhe për rishikimin e numrit të mandateve, por edhe për këtë çështje ngre akuza në emër të qeverisë.

“Është e nevojshme që të rishikohet numri i mandateve, ky është një detyrim ligjor. Por ka një mungesë transparence totale mënyra se si po zhvillohet ky proces”.

Fushata elektorale në Durrës duket të jetë më e ashpra pas asaj në Tiranë, por Bylykbashi thotë se pavarësisht se Kryeministri mandatoi veten për të drejtuar këtë qark në zgjedhjet e 25 Prillit, ndëshkimi do t’i vijë me votë nga bashkëqytetarët e tij.

“Është një rast i jashtëzakonshëm për qytetarët durrsak që t’i kthejnë reston Edi Ramës që është përgjegjës për 15 nga 20 vitet e qeverisjes socialiste në qytetin e Durrësit”, përfundoi Bylykbashi.

Tv Klan