KQZ: E ka deklaruar dënimin, nuk e kap dekriminalizimi

Demokratët kanë kërkuar heqjen e mandatit për një tjetër Kryebashkiak nga radhët e socialistëve, që sipas tyre, është në kushtet e ndalimit të kandidimit dhe ushtrimit të një funksioni publik.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi publikoi një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Matit, ku rezulton se Agron Malaj është dënuar me 10 muaj burg në 18 Tetor të vitit 1999 për mbajtje të armëve luftarake. Sipas Bardhit fshehja e këtij vendimi nga ana e Malajt në formularin e dekriminalizimit mjafton që prokuroria të nisë zyrtarisht verifikimin e të kaluarës së Kryebashkiakut të Matit.

“Ky është vendimi i Gjykatës që konfirmon dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë të Agron Malajt, të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë e Matit. Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje  dhe sipas ligjit për dekriminalizimin i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik. “

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se nga verifikimi i formularit të dekriminalizimit, Kryebashkiaku Agron Malaj e ka deklaruar vendimin e formës së prerë të gjykatës së Matit, ku rezulton të jetë dënuar me 10 muaj burg. Referuar Ligjit të Dekriminalizmit, KQZ thotë se të dhënat e deklaruara nuk përbëjnë kusht për mosregjistrimin e Agron Malajt si kandidat.

Tv Klan