Partia Demokratike kërkon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet pa vonesë në mënyrë që të shqyrtojë shkarkimin e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.

Përmes një letre, selia blu arsyeton se pas verifikimit të kryer nga prokuroria, ku Malaj rezulton i dënuar atëherë duhet marrë menjëherë masa e ndalimit të ushtrimit të mëtejshëm të funksionit publik.

“PD në cilësinë e iniciuesit të kësaj procedure administrative, kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: Thirrjen pa vonesë të mbledhjes së KQZ dhe përfshirjen në rend dite të shqyrtimit të rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik Agron Malaj. Miratimin e rezultateve të organit të prokurorisë, që subjekti Agron Malaj, është në kushtet e ndalimit të parashikuar në pikën 1, shkronja “a” të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015 dhe se ndaj tij duhet të merret masa e ndalimit të menjëhershëm të ushtrimit të mëtejshëm të funksionit publik”.

Në një letër që mban firmën e Gazment Bardhit thuhet se Malaj, përmbush të gjitha kushtet për aplikimin e ndalimit për të ushtruar një funksion publik si subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Tre ditë më parë, Prokuroria publikoi vendimin pas verifikimit të kryebashkiakut Agron Malaj, ku rezultonte të ishte dënuar me 10 muaj burg për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake nga Gjykata e Rrethit Mat në 7 Tetor të vitit 1999./tvklan.al