“Qeveria, fajtore për numrin e lartë të të infektuarve”

Partia Demokratike i sheh me shqetësim shifrat e ditëve të fundit për një shtim të numrit të infektimeve të personelit shëndetësor në QSUT. Sipas selisë blu kjo vjen si pasojë e keqmenaxhimit të situatës.

Mirela Tabaku gjatë një deklarate për mediat tha se dështimi për të mbajtur nën kontroll situatën në spitale ka pasoja direkte për shëndetin e qytetarëve.

Kjo pasi disa shërbime mund të mbyllen për shkak të mungesës për një kohë të caktuar të personelit, ndërsa infektimi i tyre ka ndodhur për shkak të mosmarrjes së masave të duhura mbrojtëse për ta. Partia Demokratike sheh fajtore për këtë situatë qeverinë.

“Testimet virologjike të personelit nuk po bëhen në mënyrë periodike. Mjetet mbrojtëse nuk janë në sasinë dhe cilësinë e duhur. Kontrolli i zbatimit të protokolleve mbrojtëse si për personelin, ashtu edhe për pacientët mungon. Mungojnë edhe testimet virologjike apo serologjike për pacientët e  shtruar. Sensibilizimi i qytetarëve nuk është bërë siç duhet. Është injoruar zëri i ekspertëve dhe zëri konstruktiv i opozitës”.

Prandaj Tabaku thotë se kryeministri nuk duhet të bëjë fajtorë qytetarët dhe t’i kërcënojë ata me kthimin e karantinës.

“Ai duhet të heqë dorë nga propaganda me facebook, të gjejë një ministre tjetër që ka prioritet shëndetin e qytetarëve, jo karrigen e vet, dhe të marrë masa urgjente që spitalet të mos jenë vatra infeksioni për qytetarët”./tvklan.al