Lleshaj: Janë fiasko, i shkatërruam parcelat

Demokratët akuzuan Kryeministrin Rama se po vë në zbatim një skenar të ngjashëm të viteve të shkuara, atë të mbjelljes masivisht të kanabisit në vend. Sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata publikoi disa foto që sipas tij tregojnë plantacionet me drogë nga veriu në jug.

 “Kjo foto është bërë së fundmi në Kukës. Kjo tjetra i përket plantacioneve me kanabis në Labëri. Kështu është në Malësinë e Dukagjinit, në Malësinë e Krujës, të Tepelenës, të Gramshit, në fshatrat e Beratit, të Vlorës, madje edhe në periferi të Tiranës”.

Sipas selisë blu, bosët e drogës gëzojnë mbrojtjen politike të Kryeministrit, pavarësisht ç’ka shkruhet në raportet ndërkombëtare.

“Sesi ka mundësi që policia shqiptare i ka të gjitha këto informacione, e di se ku mbillet droga, e di se kush e mbjell, kush e trafikon, mënyrën dhe vendin nga trafikohet dhe prapë nuk merr asnjë masë?! Nuk ka asnjë edhe një arrestim të vetëm të trafikantëve të drogës. Asnjë shef të shkarkuar policie, megjithë premtimin pompoz të Sandër Lleshajt. Përgjigja është fare e thjeshtë! Policinë e pengon Ministri i Brendshëm, i cili është në shërbim të paktit të Edi Ramës me trafikantët e drogës.”

Në kundërpërgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se PD e ka humbur të drejtën morale për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo për këtë çështje, pasi janë themeluesit dhe shfrytëzuesit e kanabisit në fshatin Lazarat. Ministri Lleshaj i cilëson fiasko të demokratëve fotot e publikuara, pasi sipas tij “Policia e Shtetit ka shkatërruar prej ditësh jo vetëm dy parcelat, që mesa duket i kanë dhembur ndonjë kultivuesi a lidhjeje biznesore të vetë PD, por edhe dhjetëra parcela të tilla në të gjithë vendin”.

Tv Klan