Dashuria për baladat është një pjesë e pandarë e Eranda Libohovës pasi janë edhe burimi i parë i frymëzimit për të dhe e lidh këtë pasion me shenjën e saj të horoskopit, ku e saja është Virgjëresha. Ndikuar edhe nga kjo, thotë se është tejet detajiste dhe shpesh nuk kënaqet nëse nuk i kuron deri në detaje projektet muzikore duke kërkuar maksimumin në gjithçka.

Por, përtej fasadës së perfeksionizmit dhe këngëve të patëmeta, edhe Eranda Libohova ka një peng. Ajo shprehet ekskluzivisht në një bisedë me Rudina Magjistarin për emisionin “Rudina” në Tv Klan se çfarë e rëndon atë ende pas kaq kohësh nga udhëtimi i saj i gjatë në muzikë.

Rudina Magjistari: A ke ndonjë peng, Eranda, gjatë rrugëtimit tënd muzikor, diçka që ndoshta s’është realizuar siç duhej, një këngë që s’e ke kënduar, një këngë të cilën ndoshta ti je penduar që e ke kënduar?

Eranda Libohova: Po, ka një këngë që jam penduar që e kam kënduar dhe jam munduar ta fshij nga repertori publik.

Rudina Magjistari: Por a do na e zbulosh dot?

Eranda Libohova: Po, mund ta them, por nuk është ndonjë gjë. Është kënga “Më nga mu”. Ja është kënga që ti nuk e di që ekziston. Është një këngë që u bë në një periudhë tranzicioni artistik dhe nuk e kam shumë qejf dhe përzemër. Ekziston edhe në Youtube, por nuk e këndoj.

Rudina Magjistari: S’e ke kënduar më asnjëherë?

Eranda Libohova: Jo, nuk më pëlqen.

Rudina Magjistari: Nëse do të ktheheshe mbrapsht, në kohë, nuk do ta kishe bërë?

Eranda Libohova: Nuk do ta kisha bërë kurrë atë këngë dhe e kam bërë edhe me videoklip, kam bërë një goxha investim.

Rudina Magjistari: Po na bën kurioze, jam e sigurt që do të ketë ca klikime për këtë këngë. Po pse, meqë ra fjala, çfarë kishte aty në videoklip?

Eranda Libohova: Jo, videoklipi është shumë në rregull, por kënga nuk më ngjit. Është një këngë koti.

Rudina Magjistari: Nuk ishte këngë për Eranda Libohovën, për nivelin tënd?

Eranda Libohova: Jo, gjithsesi e kemi marrë me sportivitetin me Gentin këtë këngë, ne kemi pasur bashkëpunime shumë të bukura më pas.

Gjatë karrierës së saj, një nga eksperiencat që Eranda nuk ka provuar në muzikë është kompozimi, por qëndron mendjehapur ndaj idesë që në të ardhmen mund të ndodhë dhe të kompozojë një këngë të sajën./tvklan.al