Federata Shqiptare e Futbollit përcaktoi edhe stadiumin ku do të zhvillohen dy ndeshjet miqësore të muajit Qershor. Përfaqësuesja e futbollit do të grumbullohet në një kamp stërvitor disa ditor në Graz të Austrisë dhe në përgatitje të Europianit do të luajë edhe dy miqësore, një me Lichtenstein dhe një me Azerbajxhanin.

Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin Haladas në qytetin Sombatheli që gjendet rreth 1 orë e 30 minuta larg qendrës ku do të grumbullohet kombëtarja shqiptare. Impianti ka një kapacitet prej 8900 vendesh dhe është inauguruar në 2017.

Në bashkëpunim me federatat homologe, FSHF ka përcaktuar edhe orarin e sfidave. Me Lichtenstein do të luhet më 3 Qershor të orën 20:00 ndërsa 4 ditë më pas, më 7 Qershor, me Azerbajxhanin do të luhet në orën 19:00

Të dyja këto sfida, të cilat do të transmetohen në Tv Klan, janë në kuadër të përgatitjeve për finalet e Europianit. Trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij do t’i shërbejnë për t’i dhënë dorën e fundit përcaktimit të formacionit titullar, si dhe taktikave me të cilat do të përballet në 3 ndeshjet e para të finaleve të Gjermanisë ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Ndeshjet e Grupit B të Kombëtares dhe të gjitha sfidat e Europianit do të transmetohen pa pagesë në Tv Klan.

Tv Klan